KOSOVA

Dy rrëfime, një vendim/ Si do të mbahet mend UÇK-ja?

Piranjat Përditësimi i fundit 23 Nëntor 2025, 16:55
Dy rrëfime, një vendim/ Si do të mbahet mend UÇK-ja?

Dy vjet dëshmi, qindra dëshmitarë dhe një gjykatë që do të vendosë se si do të mbahen mend Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëheqësit e saj: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Katërshja, në paraburgim që nga viti 2020, pret verdiktin në Hagë, ndërsa dy vjetët e fundit të dëshmive hodhën dritë mbi rolet dhe përgjegjësinë e saj gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës u formua në fillim të të ’90-ave si një grup gueril që luftonte për të drejtat e shqiptarëve nën regjimin serb të kohës. Gjatë luftës së viteve 1998-1999, ajo u shndërrua në forcën kryesore të rezistencës së armatosur.

Udhëheqësit e saj politikë, përfshirë Hashim Thaçin, dolën në skenën ndërkombëtare në fillim të vitit 1999, kur morën pjesë në negociatat e Rambujesë. Aty UÇK-ja u legjitimua si palë negociuese në procesin që synonte t’i jepte fund luftës dhe të hapte rrugën drejt një zgjidhjeje politike për Kosovën.

Kur vendi shpalli pavarësinë më 2008, Thaçi ishte kryeministër. Tetë vjet më vonë u zgjodh president dhe shërbeu deri më 2020, kur dha dorëheqje për t’u përballur me akuzat e Gjykatës Speciale në Hagë.

“Nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës. Prandaj, për të mbrojtur integritetin e Presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës, popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Republkës së Kosovës”, tha Thaçi më 5 nëntor, 2020.

Përvec Thaçit, në Gjykatë u dorëzuan edhe Kadri Veseli, i cili ishte udhëheqës i shërbimit të inteligjencës në UÇK, Jakup Krasniqi - zëdhënës, dhe Rexhep Selimi nga shtabi i përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre, e konfirmuar më 26 tetor 2020 dhe e publikuar më 5 nëntor të atij viti, e ngarkon secilin me akuza për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte, të kryera nga marsi i vitit 1998 deri në shtator, 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, katër burrat ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “ndanin qëllimin e përbashkët për të fituar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën me anë të mjeteve që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, kryerjen e dhunës dhe largimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin kundërshtarë”.

Këta “kundërshtarë” dyshohet se përfshinin pakica etnike - serbë, romë dhe të tjerë - si dhe shqiptarë që nuk e mbështesnin UÇK-në. Së paku 102 persona dyshohet se u vranë dhe më shumë se 20 të tjerë konsiderohen të zhdukur.

Aktakuza, gjithashtu, i referohet përgjegjësisë superiore të të pandehurve, për shkak të pozitave të larta udhëheqëse brenda UÇK-së, për krimet e kryera nga personat nën kontrollin e tyre dhe anëtarët e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

Katërshja mohoi fajësinë, ndërsa gjykimi nisi më 3 prill të vitit 2023. Në fjalimin e tij hapës në gjyq, prokurori i specializuar në detyrë, Alex Whiting, tha se “shumica e viktimave të të pandehurve ishin bashkëkombës shqiptarë të Kosovës”.

“Në zellin e tyre për të goditur dhe eliminuar ata që i konsideronin kundërshtarë, të pandehurit mbështetën dhe zbatuan një politikë që shpesh i viktimizonte edhe të vetët e tyre”, tha Whiting.

Gjatë këtyre dy vjetëve, prokuroria prezantoi qindra dëshmi: 117 me shkrim dhe 125 dëshmitarë që dëshmuan në sallën e gjyqit.

“Prej se ka ardhur, në ’98-ën, i kam parë me sytë e mi punët e tij [Thaçit]... Ka menduar të na shfarosë... Ka menduar të na shfarosë... Nuk kemi kohë, sepse kemi shembuj tjerë të tregojmë... Kam shumë shembuj tjerë. Kjo është e vërteta... me krejt familjen, qëllimi i tij ka qenë të na shfarosë”, tha Fadil Geci, dëshmitar i prokurorisë, në tetor të vitit 2024.

Mbrojtja e Thaçit nisi paraqitjen e provave më 15 shtator të këtij viti. Ekipi i Krasniqit paralajmëroi dy dëshmitarë në sallë dhe dy dëshmi me shkrim, ndërsa mbrojtjet e Veselit dhe Selimit nuk paraqitën prova.

Dëshmitarët e mbrojtjes - kryesisht zyrtarë të lartë perëndimorë me njohuri të drejtpërdrejtë të ngjarjeve - filluan me James Rubinin, ish-ndihmës sekretar i Shtetit amerikan.


Strategji e mbrojtjes ishte të argumentonte se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të qartë komanduese dhe se Thaçi, shpesh jashtë Kosovës dhe në rol politik, nuk ushtronte autoritet mbi operacionet.

Rubin dëshmoi për tri ditë radhazi, ndërsa në sallë ishin të pranishëm si vëzhgues edhe zyrtarë aktualë të Departamentit amerikan të Shtetit. Rubin dëshmoi se Thaçi “kishte eprorë nga të cilët duhej të merrte miratim” dhe se ai ishte “më shumë një fytyrë publike për t'u prezantuar në Perëndim”.

“Hashim Thaçi duhej t’u drejtohej këtyre komandantëve të [UÇK-së] për informacion, njohuri, vendime… Kështu që, unë e kam parë duke treguar respekt ndaj tyre për çështjet përmbajtjesore të UÇK-së”, tha Rubin.

Dëshmia e tij u mbështet nga një sërë personalitetesh që e pasuan atë në bankën e dëshmitarëve - nga Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i Kosovës, deri te Wesley Clark, gjenerali që udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve të atëhershme jugosllave në vitin 1999.

“Më kujtohet që e kam parë Thaçin, sepse ka qenë zëdhënës. Ishte i pastër, i veshur mirë, dukej më perëndimor se të tjerët. Nuk dukej se kishte qenë në mal, duke luftuar për një ose dy vjet rresht. Ishte e qartë se ai nuk ishte përgjegjës”, dëshmoi Clark.

Clark ishte dëshmitari i fundit i mbrojtjes, duke e përmbyllur dëshminë e tij më 18 nëntor. Një ditë më vonë, gjatë konferencës mbi ecurinë e çështjes, avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, sinjalizoi se mbrojtja mund të kërkojë edhe një dëshmitar shtesë.

Megjithatë, mbrojtja dhe prokuroria ranë dakord që dosjet përfundimtare të dorëzohen deri më 30 janar të vitit të ardhshëm, apo 60 ditë pas përfundimit të paraqitjes së provave. Me këtë rast, po ashtu, u tha se deklaratat përmbyllëse nga ana e prokurorisë, mbrojtjes dhe përfaqësuesve të viktimave do të jepen pas dorëzimit të dosjeve finale.

Zëdhënësi i Speciales, Michael Doyle, i tha Radios Evropa e Lirë se “rregullat parashohin që gjyqtarët duhet ta shpallin aktgjykimin brenda 90 ditësh nga mbyllja e çështjes - përveç në rastet kur rrethanat kërkojnë më shumë kohë”.

Njohësi i çështjeve ligjore, Mark Ellis, pret që gjykimi të shpallet në pranverë ose fillim të verës. Ai vlerëson se çështja është në një pikë realisht të balancuar: provat aktuale lejojnë si mundësinë e dënimit, ashtu edhe të pafajësisë. Gjithçka do të varet nga mënyra se si gjykatësit do ta interpretojnë strukturën komanduesе të UÇK-së, sipas tij.


“Çdo dëshmi vlerësohet më vete, në bazë të besueshmërinë, saktësisë, qëndrueshmërisë, dhe jo në bazë të asaj se cila palë e ka thirrur dëshmitarin. Gjykatësit marrin parasysh faktorë të tillë si: sjellja e dëshmitarit, koherenca e rrëfimit, interesat apo paragjykimet e mundshme, si dhe mënyra se si dëshmia qëndron gjatë ballafaqimit në sallë”, shpjegon Ellis, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Në këtë gjykim, prokuroria dhe mbrojtja ofruan dy rrëfime krejt të kundërta për UÇK-në: e para e paraqiti si organizatë të strukturuar me zinxhir komandimi deri te Thaçi, ndërsa tjetra si një grup gueril pa hierarki formale.

Ellis thotë se, në raste si këto, gjyqtarët duhet të vlerësojnë besueshmërinë e çdo versioni, sepse shpesh të dyja palët mund të kenë elemente të së vërtetës. Ai shton se standardet ligjore janë gjithashtu vendimtare në këtë proces.


“Për shembull, ligji ndërkombëtar mbi përgjegjësinë komanduese dhe ‘ndërmarrjen e përbashkët kriminale’ nuk kërkon domosdoshmërisht një hierarki të zakonshme ushtarake; mjafton kontrolli efektiv ose një organizim funksional për të zbatuar një plan të përbashkët. Gjyqtarët do të shqyrtojnë nëse Thaçi dhe të tjerët kishin kontroll efektiv mbi ata që kryen abuzime”, thotë Ellis.

Dhe, provimi i ekzistencës së një hierarkie - formale ose faktike - si dhe përcaktimi i rolit të secilit të pandehur brenda saj do të janë vendimtare për ngritjen e përgjegjësisë penale, përfundon Ellis.

Ky gjyq është më i rëndësishmi deri më tani për Gjykatën Speciale, e cila është pjesë e një përpjekjeje ndërkombëtare për të hetuar konfliktet e brendshme në Kosovë, gjatë dhe pas luftës për pavarësi, në fund të viteve ‘90.

Cilido që të jetë vendimi, ai pritet të ketë jehonë edhe përtej Kosovës - mbase deri në SHBA, sepse, siç ka theksuar edhe Rubin në dëshminë e tij, Thaçi, me vite të tëra, ka bashkëpunuar ngushtë me Uashingtonin për paqe dhe pavarësi.

Joe Biden, si zëvendëspresident i SHBA-së, e quajti atë “George Washingtoni i Kosovës” kur vizitoi Shtëpinë e Bardhë në vitin 2010.

Richard Grenell, i cili ishte i dërguari special për negociatat e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë gjatë administratës së parë të presidentit Donald Trump, e cilësoi ndalimin e Thaçit si një “padrejtësi të rëndë”.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, edhe pse e shpërbërë, mbetet një organizatë popullore për shumë kosovarë, të cilët ia atribuojnë asaj luftën që çoi në pavarësi. Ndaj, shumë qytetarë besojnë se Gjykata Speciale në Hagë është e njëanshme ndaj UÇK-së dhe synon të diskreditojë rolin e saj. Kjo ka nxitur disa protesta jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Tiranë, Hagë dhe qytete të tjera.

Specialja, e njohur zyrtarisht si Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, funksionon si pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë. Sa i përket stafit, amerikanët janë grupi i dytë më i madh pas holandezëve.

Vendimi i tyre do të përcaktojë jo vetëm përgjegjësinë e të pandehurve, por edhe mënyrën se si Kosova e sheh dhe e rrëfen një pjesë të ndjeshme të historisë së saj të fundit./REL.

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan