
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, gjasat për të cilat u rritën dukshëm më 26 tetor pasi Kuvendi nuk e aprovoi një qeveri të re të Albin Kurtit, do të mund të sillnin ndryshime në rezultatet e partive, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Por, sipas tyre, ato ndryshime nuk do të ishin të mjaftueshme, aq sa partitë të shmangnin nevojën për bashkëqeverisje në të ardhmen.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani duhet ta caktojë një mandatar tjetër për formimin e Qeverisë brenda 10 ditësh.
Por, lideri i partisë së dytë më të votuar, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, hodhi poshtë mundësinë që të bëhet mandatar i radhës, në rast se presidentja e Kosovës do ta thërrasë për ta pyetur nëse e ka shumicën.
Edhe Kurti, udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila fitoi më së shumti vende në Kuvend nga zgjedhjet e 9 shkurtit, pranoi se zgjedhjet e reja mund të kenë mbetur opsioni i vetëm përpara për kalimin e krizës.
Zgjedhjet nuk sigurojnë qeverisje pa koalicione
Politologu Dritëro Arifi vlerëson se janë disa faktorë që do t’i ndikonin rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme të parakohshme.
Arifi thotë për Radion Evropa e Lirë se rezultatet në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të disa prej komunave më të mëdha të Kosovës, do t’u japin drejtim partive që do t’i fitojnë ato për t’u pozicionuar edhe për zgjedhjet parlamentare.
Sipas tij, qasja e partive politike në fushatë zgjedhore dhe retorika e matur do të jenë ndër përcaktuesit e rezultateve, si dhe të koalicioneve eventuale para dhe pas zgjedhjeve.
“Jam i bindur, nga ajo që po ndodh në terren, që asnjëra parti nuk do ta ketë shumicën fillestare për ta bërë qeverinë me 61 [vota]. Edhe nëse e merr ndonjëra parti, do ta ketë vështirë që të realizojë agjendën. Pra, gjithsesi duhet një bashkëpunim i madh”, shprehet Arifi.
Ai thotë se e sheh si të mundshme që partitë më të vogla, sikurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate, të futen në koalicione parazgjedhore me partitë e mëdha, kryesisht me ato ish-opozitare, sikurse PDK-ja ose Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Ngjashëm, ndryshime pret edhe Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.
Paçarizi thotë për Radion Evropa e Lirë se në rast se partitë më të vogla, si Nisma apo AAK-ja, nuk futen në koalicione parazgjedhore, ato rrezikojnë të mos arrijnë rezultatet që do t’u siguronin vend në Kuvend.
Në një situatë të tillë, vlerëson ai, votat e këtyre partive mund të shpërndahen proporcionalisht te partitë tjera më të mëdha.
“Unë besoj që do të ketë ndryshim numrash... Mirëpo, megjithatë, unë vështirë se shoh ndonjë ndryshim esencial, i cili do të siguronte zgjedhjen e një qeverie pa vështirësi të theksuara. Fakti që Lista Serbe nuk hyn në kombinimet e asnjërit bllok politik për ta bërë qeverinë, do të thotë se janë 10 vota mangët për këdo që synon ta bëj qeverinë”, thekson Paçarizi.
Radio Evropa e Lirë bëri përpjekje të kontaktonte zyrtarë të AAK-së dhe të Nismës, por ata ishin të paqasshëm.
Por, kreu i Nismës, Fatmir Limaj, zhvilloi një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, të hënën. Ata nuk deshën të tregonin për media se për çfarë biseduan.
Frikë nga qeverisja?
Pavarësisht pritjeve se zgjedhjet e parakohshme parlamentare mund të prodhojnë ndryshim në numrat e partive politike në Kuvend, vendi vlerësohet se sërish rrezikon të futet në krizë institucionale në rast se ato nuk shfaqin vullnet politik për bashkëpunim.
Bashkëpunimi i tillë do të ishte më se i domosdoshëm, thotë Arifi, për shkak se zgjedhjet e parakoshme parlamentare do t’i përcaktonin edhe pretenduesit për tri pozitat më të larta shtetërore.
Në këtë drejtim, sipas Arifit, është i domosdoshëm kompromisi ndërmjet partive politike, i cili do të jetë i pamundur pa një gjuhë korrekte të partive politike shqiptare gjatë fushatës zgjedhore.
“Synimi do të jetë krijimi i koalicionit të madh shqiptar, pavarësisht se cilat parti do të jenë, sepse ajo i zgjidh të tri nyjat kryesore: kryeministrin, kryeparlamentarin dhe presidentin. Prandaj, të gjitha partitë, pavarësisht se cila – Vetëvendosje, PDK ose LDK – do të jenë të detyruara të bashkëpunojnë, varësisht nga koalicionet”, thotë Arifi.
Një koalicion të mundshëm ndërmjet dy ose më shumë partive të mëdha e sheh si zgjidhje edhe Paçarizi.
Por, ai është skeptik se koalicioni i tillë mund të ndodhë edhe pas zgjedhjeve të parakohshme të mundshme.
Paçarizi pret që të dyja blloqet aktuale politike, LVV-ja në njërën anë, dhe PDK-ja e LDK-ja në anën tjetër, të fitojnë rreth 40 për qind të votave nga zgjedhjet.
Të dy taborëve, sipas tij, u mungon vullneti politik për formimin e qeverisë, edhe nëse kjo do të ishte e mundur.
“Asnjëra nga forcat politike, si e vetme, nuk ka guxim që të marrë përsipër drejtimin e vendit, pasi kanë frikë se çfarë do të sjellë e nesërmja, në kuptim të dialogut me Serbinë. A do të mund të vihen para një situate ‘merre ose lëre’, e cila do të ishte pastaj një përgjegjësi shumë e madhe dhe do ta fundoste një qeveri me bazë jo shumë të gjerë”, thotë Paçarizi.
Si rrjedhojë, shton ai, vendi rrezikon të futet në një agoni institucionale edhe pas zgjedhjeve të parakohshme eventuale, në rast se nuk do të ketë një ndërhyrje nga ana e vendeve partnere dhe aleate të Kosovës.
“Kjo ndërhyrje nuk nënkupton ndihmën për ta bërë qeverinë. Por, nënkupton dhënien, përkatësisht marrjen e garancive, për rrugën tutje, për atë se çka e pret dhe si duhet të sillet dhe të veprojë qeveria e re”, vlerëson Paçarizi.
Ai shton se në këtë drejtim, e domosdoshme do të jetë një qeveri me bazë të gjerë dhe një president konsensual, i cili jo domosdo duhet të ketë përkatësi partiake.
Artikuj te sugjeruar
KOSOVA
28 Tetor09:04
Dështimi për formimin e një qeverie të re, Kosova rrezikon të mbetet pa buxhet për vitin 2026
Dështimi për formimin e një qeverie të re ka rritur rrezikun që Kosova të hyjë në vitin 2026 pa buxhet.
Për eksp...
KOSOVA
27 Tetor21:06
Nuk formoi dot qeverinë, Kurti paralajmëron zgjedhje parlamentare edhe në dhjetor, edhe në pranverë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se vendi mund të përballet me zgjedhje parlamentare dy herë b...
KOSOVA
27 Tetor18:51
Kurti: Përpiqem t’i informoj, por Rama e disa partnerë kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me Serbinë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në një bashkëbisedim me shqiptarë në Federatën Pan-Shqiptare VATRA ...
KOSOVA
27 Tetor13:22
Media gjermane: Dështimi i Kurtit për formimin e qeverisë zhyt Kosovën në krizë, Perëndimi po humbet durimin
Media gjermane “Berliner Zeitung” ka publikuar një artikull mbi dështimin e formimit të Qeverisë së re të Ko...
KOSOVA
27 Tetor12:26
Politika e BE-së ndaj Kosovës në "autopilot"
Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian kundër Kosovës janë bërë sinonim i një dënimi të zgjatur - sipas disave...
KOSOVA
27 Tetor12:00
Dalin pamjet e arrestimit të prokurorit në Prizren (Video)
Prokurori i Prizrenit Beqë Shala, përfundoi në prangat e policisë së Kosovës mëngjesin e kësaj të hëne. Shala ...
KOSOVA
27 Tetor09:46
Kërcasin prangat në Prokurorinë e Kosovës: Prokurori arrestohet në vendin e punës për ryshfet
Prokuroria Speciale e Kosovës tha se prokurori B.Sh., dyshohet se ka kryer veprën penale të “marrjes së ryshfetit”.
“Pr...
KOSOVA
26 Tetor19:23
Nuk mori votat për krijimin e qeverisë, reagon Albin Kurti: Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë deri në zgjedhje të reja
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas dështimit për të marrë votat e nevojshme për formimin e ...
KOSOVA
26 Tetor17:01
"Ka thelluar paqartësinë politike në vendin më të ri të Evropës"/ Mediat botërore jehonë 'dështimit' të Kurtit për formimin e qeverisë
Dështimi i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për të siguruar mbështetjen parlamentare për formimin...
KOSOVA
26 Tetor16:56
Akuzon Veton Berishën për ego personale pas mosvotimit të 'Qeverisë Kurti 3'/ Ministri Krasniqi: Sot humbi Kosova dhe komuniteti egjiptian
Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar ashpër pas mosvotimit të Qeverisë Kurti 3 n&e...