KOSOVA

REL: Vetëvendosja/ Nga lëvizje kundër pushtetit në pushtet kundër të gjithëve

Piranjat Përditësimi i fundit 16 Nëntor 2025, 11:37

REL: Vetëvendosja/ Nga lëvizje kundër pushtetit në pushtet

“Të gjithë janë bashkuar kundër nesh”, thotë Albin Kurti duke përshkruar skenën politike në Kosovë sipas Lëvizjes së tij Vetëvendosje. Për partinë më të madhe në vend, çdo veprim i opozitës është një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj saj. Por për disa vëzhgues, ky perceptim është më shumë një zgjedhje strategjike e Vetëvendosjes sesa pasqyrë e realitetit politik.

Natën e rundit të dytë të zgjedhjeve lokale, më 9 nëntor, kreu i Vetëvendosjes trumbetoi fitoren e partisë së tij në shtatë komuna të Kosovës, përkundër atyre që ai i quajti kushte të pazakonta politike.

“I falënderoj kandidatët tanë, ekipet e tyre, shtabet zgjedhore dhe aktivistët tanë, të cilët kanë pasur një betejë të jashtëzakonshme, meqenëse në të gjitha këto raste, të gjithë të tjerët janë bashkuar kundër Vetëvendosjes”, tha Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë.

Në vazhdën e këtij diskursi, ai edhe në një postim në Facebook ku falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen në balotazh, tha se Vetëvendosjen “s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve”.Këtë qasje e përforcoi edhe bashkëpartiaku i tij, Xhelal Sveçla, i cili humbjen e Vetëvendosjes në Prishtinë e cilësoi si rezultat të “koalicionit të pazareve”, e jo ideve.

Në një postim në Facebook, ai shkroi se “koalicioni LDK-PDK-AAK, oligarkë e disa kuazimedia do t’i kushtojnë më së shumti qytetarit. Mbetet që angazhimi ynë të minimizojë dëmin e zvogëlojë çmimin, gjithmonë në të mirë të qytetarit e shoqërisë”.

Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë, nuk e sheh situatën si një front të bashkuar kundër Vetëvendosjes. Ai thekson se në zgjedhjet lokale, kjo parti ka bashkëpunuar me pothuajse të gjitha partitë tjera, ashtu si edhe të tjerat me njëra-tjetrën.“Për shembull, AAK-ja e ka përkrahur Vetëvendosjen në Fushë Kosovë; Vetëvendosja e ka përkrahur AAK-në në Junik; Vetëvendosja e ka përkrahur PDK-në në Dragash, e kështu me radhë. Të gjitha këto kanë ndodhur në këto zgjedhje lokale, përkundër polarizimit në nivel qendror të partive politike”, thotë Ymeri për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Në skenën qendrore, Vetëvendosje nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme në zgjedhjet e 9 shkurtit për të qeverisur e vetme, dhe dështoi të gjente partnerë për bashkëpunim. Me asnjërën palë që nuk pranonte kushtet e tjetrës, Kuvendi mbeti i bllokuar dhe Qeveria vazhdon të funksionojë në detyrë.

Mandatarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i skadon afati ligjor për të paraqitur përbërjen e re qeveritare më 19 nëntor. Pa mbështetjen e partive të tjera, rruga e Kosovës duket e hapur drejt zgjedhjeve të parakohshme.Partitë e mëdha tashmë kanë deklaruar se nuk do të japin votë për Konjufcën. Përfaqësuesit e tyre akuzojnë Kurtin se ka humbur tetë muaj me manipulime e taktizime politike, ndërsa situata aktuale, sipas tyre, dëshmon se partia e tij nuk mund të sigurojë shumicën “as në ëndrrat më të mira”.

Në sytë e vëzhguesve, të dyja taboret që vetëparaqiten si konstruktive, kanë mundur të bëjnë më shumë, por barra kryesore bie mbi partinë më të madhe, e cila, duke pasur mundësi për të ndërmjetësuar dhe lehtësuar dialogun, ka zgjedhur të forcojë narrativin e polarizimit.

Agon Maliqi thotë se Vetëvendosjes i ka shërbyer narrativi i “forcës më të mirë kundër gjithë së keqes së të shkuarës” në vitin 2021, kur ka fituar mbi 50 për qind të votave. Por sot, ky mesazh ka humbur fuqinë dhe nuk e mbështet më partinë si dikur.“... për shkak se partitë ish-opozitare nuk janë më njësoj, edhe ato kanë lidership tjetër. Është dukur qartë edhe në zgjedhjet e fundit nacionale se ato kanë pasur rritje dhe e kanë kthyer një pjesë të besimit - jo të gjithën. E, po ashtu, edhe në zgjedhjet lokale kanë fituar shumë komuna”, thotë Maliqi për Exposenë.

Vetëvendosje edhe në zgjedhjet nacionale të vitit 2019 ka dalë e para, por me rreth një të katërtën e votave, ka qëndruar në pushtet vetëm rreth 50 ditë, pasi koalicioni me LDK-në është shembur.

Rritja e partisë dy vjet më vonë i është atribuar pjesërisht edhe aleancës së Kurtit me presidenten e atëhershme në detyrë, Vjosa Osmani, e cila është larguar nga LDK-ja për t’iu bashkuar Kurtit.E njohur për veprime provokuese, si hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend, Vetëvendosje ka lindur në fillim të viteve 2000 si një lëvizje proteste kundër elitave vendore dhe ndikimit ndërkombëtar në Kosovën e pasluftës - atëherë nën administrimin e OKB-së.

Me hyrjen në politikë në vitin 2011, ajo ka nisur të transformohet në një forcë institucionale, duke zbutur me kohë edhe tonin e saj radikal. Në zgjedhje ka garuar me narrativ kundër korrupsionit, duke e paraqitur veten si alternativë ndaj klasës së vjetër politike, e cila, sipas saj, ka abuzuar me pushtetin.

Sipas analistit Agon Maliqi, edhe tani duket se bëhet fjalë për një përpjekje të Vetëvendosjes për ta imponuar vullnetin e saj me çdo kusht, duke e përsëritur në një formë tjetër logjikën e forcës që dikur kritikonte.“Po rikthehet në origjinën e saj, në projektin e saj që e vë në dyshim jo vetëm dialogun me Serbinë, Marrëveshjen e Brukselit, por edhe vetë natyrën e sistemit juridik të Kosovës, pra Pakon e Ahtisaarit. Dhe, e vetmja mënyrë për t’i çmontuar disa elemente të saj, është shkaktimi i një krize kushtetuese. Ky është i vetmi shpjegim përse një parti insiston të barrikadohet në këtë formë, sepse një parti që do të donte të qeveriste, do të gjente mënyra për të bashkëpunuar me së paku njërën prej partive të tjera të mëdha”, thotë Maliqi.

Maliqi, duke përmendur edhe sulmet e Vetëvendosjes ndaj institucioneve të pavarura, si Gjykata Kushtetuese, vlerëson se qëllimi i Kurtit është të krijojë realitete të reja juridike përmes krizave.

Radio Evropa e Lirë kërkoi komente nga Lëvizja Vetëvendosje për këtë temë, por pa sukses.Ndërkohë, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë në shtator, vetë Kurti deklaroi se Kosova ka nevojë për “një republikë të tretë”.

“E kemi thënë disa herë që Kosova ka nevojë për një republikë të tretë, por jo si një republikë e shpallur në Kuvendin e saj prej 120 deputetësh, pra jo si një republikë e re, por si një republikë e rinuar, si një republikë e përtrirë, e cila frymon sipas idealeve përparimtare të rilindasve shqiptarë”, tha Kurti.

Në të njëjtën mbledhje, ai theksoi se bllokadat dhe pengesat nuk vijnë vetëm nga partitë kundërshtare, por edhe nga vonesat e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka 18 ligje në pritje të vendimmarrjes.Sipas tij, kjo situatë pengon zhvillimin e vendit dhe kufizon funksionimin e demokracisë, ndërsa tregon përpjekjen e Vetëvendosjes për të çuar përpara agjendën e saj edhe në kushte të vështira.

Qeveria e Kurtit, ndër vite, e ka gjetur veten në raporte të Departamentit amerikan të Shtetit për korrupsion qeveritar apo të Reporterëve pa Kufij për kufirizim e lirisë së mediave.

Por, papunësia nga viti 2021 ka qenë në trend të rënies dhe rritja ekonomike është sjellë nën 4 për qind. Pagat dhe pensionet janë rritur, ashtu si edhe investimet e huaja direkte.E, ajo që e ka karakterizuar më së shumti qeverisjen e Kurtit ka qenë përpjekja e tij për të zgjeruar autoritetin e Kosovës në veri të vendit, përmes veprimeve si heqja e dinarit serb dhe mbyllja e institucioneve të Serbisë. Këto masa, ndonëse në përputhje me vizionin e tij për një Kosovë sovrane, i kanë shkaktuar tensione me BE-në dhe SHBA-në.

Visari Ymeri, një nga figurat e larta të Vetëvendosjes që ndër vite kanë dezertuar nga partia, thotë se polarizimi politik e shoqëror është një strategji e vetëdijshme e Vetëvendosjes.

Sipas tij, edhe pse partia pretendon të jetë e hapur për bashkëpunim, në praktikë ushqehet nga përplasja me të tjerët - një fenomen që Ymeri e konsideron të ri në skenën politike të Kosovës pas luftës.“Te partitë tjera politike, që i kemi pasur në të kaluarën, natyrisht që ka pasur kundërshtime, shpeshherë edhe shumë të zjarrta, madje edhe armiqësi... por nuk ka ekzistuar logjika ‘ne dhe ata’. Ato e kanë parë procesin e shtetndërtimit në Kosovë si bashkëpunim. Dhe ky bashkëpunim ka rezultuar, pastaj, në rritje të kohezionit shoqëror - pra në depolarizim të shoqërisë”, thotë Ymeri.

Ymeri thekson se dalja nga situata e krijuar kërkon vetëdijesim të të gjitha partive se bashkëpunimi dhe kompromisi janë thelb i politikës, sidomos në periudha krizash.

“Për ta shpëtuar demokracinë, nevojitet bashkim i forcave, edhe mes atyre që nuk pajtohen”, thotë ai, duke shtuar se nuk do të dëshironte që zgjidhja të vinte përmes ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare.“Unë mendoj se shoqëria kosovare duhet të piqet që vetë t’i zgjidhë problemet, e ky është një prej problemeve që e kemi sot. Këtë ngërç unë e shoh pak me vlerë në këtë drejtim. Nuk e di nëse do ta ketë këtë rezultat, por ngërçet nganjëherë janë të mira, sepse i mësojnë shoqëritë për një domosdo tjetër, të cilën nuk e shohin pa e pasur problemin”, thotë Ymeri.

Edhe komentet në rrjetet sociale dhe debatet televizive japin pamjen e një ndarjeje të thellë në shoqëri, por një anketë e zhvilluar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan në periudhën maj-korrik të këtij viti, nxori në pah se vetëm 38 për qind e qytetarëve të Kosovës e shohin të nevojshëm ndryshimin e udhëheqësve kryesorë dhe të partive në pushtet.

Nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të reja këtë vit, nuk është ende e qartë, por Vetëvendosje, ndonëse ‘e rrethuar nga kundërshtarë’ sipas saj, mbetet tash për tash ajo që përcakton fushën dhe ritmin e lojës. /REL

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan