AKTUALITET

Pro dhe kundër “Paqes Fiskale”

n.f Përditësimi i fundit 11 Maj 2025, 07:19

Pro dhe kundër “Paqes Fiskale”

TIRANË- Për disa nga ekspertët, propozimi i nismës për faljen e borxheve tatimore mbi 10 vjet synon pastrimin e regjistrave dhe lehtësimin e barrës për biznesin. Auditues të tjerë ngrenë shqetësimin për drejtësinë fiskale dhe mundësinë e përfitimit prej saj vetëm nga bizneset e mëdha që kanë shmangur sistemin. Detyrimet e papaguara tatimore mbi 5 vjet deri në vitin 2024 arritën 1 miliard euro.

Nisma e shpallur nga mazhoranca për “Paqen Fiskale”, që parashikon fshirjen e detyrimeve tatimore të akumuluara prej më shumë se 10 vitesh dhe faljen e pjesshme të detyrimeve 5 deri në 10-vjeçare, ka hapur debat mes ekspertëve për shanset e përfitimit të bizneseve dhe për efektet në sistemin fiskal.

Për disa nga audituesit dhe ekspertët e biznesit, nisma e propozuar, synon të lehtësojë subjektet debitore me borxhe mbi 10-vjeçare që mund të shërbejë për formalizimin e tyre. Por edhe të pastrojë detyrimet e pambledhshme, që ndonëse figurojnë në regjistrin e Tatimeve, në realitet gjasat për t’u arkëtuar janë të pakta.

“Gati gjysma e bizneseve të regjistruara në QKB janë pasive. Shumë prej tyre kanë detyrime që datojnë më shumë se një dekadë më parë, për të cilat janë kaluar të gjitha afatet ligjore të mbledhjes me forcë. Ky stok detyrimesh nuk do të mblidhet kurrë”, thotë eksperti i ekonomisë, Arben Shkodra.

Ai thekson se këto detyrime qëndrojnë në sistem si “çekiç mbi kokë” për individë që kanë dështuar në biznes, shpesh për shkak të vetë klimës penalizuese që ka karakterizuar marrëdhënien me shtetin.

Edhe Bujar Bendo, auditues ligjor dhe ekspert i kontabilitetit, ndan të njëjtin qëndrim. “Nga pikëpamja kontabël, detyrimet që qëndrojnë në regjistrat tatimorë prej më shumë se 10 vitesh janë borxhe të pambledhshme. Ato nuk kanë më vlerë reale dhe vetëm e rëndojnë bilancin midis shtetit dhe biznesit”.

Ai thekson, ndër të tjera, se kjo nismë është kërkuar prej kohësh nga vetë komuniteti i biznesit dhe mund të shërbejë për të formalizuar ekonominë e fshehur dhe për të rikthyer në sistem biznese në gjendje pasive nga barra e borxheve.

Sipas të dhënave të publikuara në Planin Strategjik 2024–2028 nga Administrata Tatimore, gjatë vitit 2023, në regjistrin tatimor, ishin të regjistruar gjithsej 334,536 tatimpagues.

Ky total përfshinte një përzierje subjektesh ekonomike dhe individësh, të ndarë në kategori të ndryshme, si: 31,058 biznese të mëdha, 94,545 biznese të vogla, me ose pa detyrim për TVSH, 208,933 tatimpagues të tjerë, përfshirë individë, organizata jofitimprurëse dhe prodhues bujqësorë, 34,895 deklarues TVSH-je, si dhe 33 subjekte që kanë përfituar shërbime elektronike gjatë vitit.

Megjithatë, gjatë vitit 2023, rreth 45% e tatimpaguesve, ose 152,179 subjekte, ndodheshin në regjistrin pasiv, nga të cilët 12,341 kishin kaluar gjatë këtij viti.

Prej tyre, 8,479 tatimpagues kanë kaluar në pasiv përmes pezullimit të aktivitetit në QKB, dhe 3,862 përmes procedurave automatike të bazuara në mosdeklarim apo deklarime pa veprimtari për më shumë se 12 muaj radhazi. Procesi i përditësimit të regjistrit pasiv kryhet çdo ditë dhe të dhënat janë të aksesueshme për strukturat e administratës tatimore.

Sipas z. Bendo, nëse nisma zbatohet siç duhet, ajo mund të ndihmojë në “çlirimin” e tatimpaguesve që janë bërë të padukshëm për shkak të pamundësisë për të shlyer detyrimet.

“Kjo krijon mundësinë për të rikthyer në sistem individë dhe subjekte që aktualisht nuk janë funksionale, por që potencialisht mund të kontribuojnë në ekonomi”, shton ai.

Për audituesin ligjor Julian Saraçi, amnistitë e përsëritura kanë pasur ndikime të shumta negative në sistemin fiskal të vendit. Ai thekson se referuar të dhënave, mbi 40% e borxheve të fshira gjatë periudhës 2015-2019, u përkisnin subjekteve joaktive ose atyre që operonin në mënyrë informale.

“Kjo tregon se përfituesit kryesorë nuk ishin bizneset e vogla aktive apo në vështirësi reale, por entitete që kishin shmangur qëllimisht sistemin”, pohoi ai më herët për “Monitor”.

Gjatë prezantimit të “Paqes Fiskale”, ministrja e Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se në thelb, nisma përfshin një skemë lehtësuese për borxhet tatimore të së kaluarës, ku fillimisht parashikohet fshirje e plotë e detyrimeve më të vjetra se 10 vjet.

Për detyrimet 5-10-vjeçare, parashikohet 50% fshirje të detyrimit, nëse do të kryhet pagesë e menjëhershme për 50% të pjesës tjetër të detyrimit. Po ashtu, 25% fshirje të detyrimit, nëse për pjesën e mbetur lidhet marrëveshje për pagesë me këste brenda vitit.

Për borxhet 1-5-vjeçare, parashikohet të ketë fshirje të plotë të gjobave dhe kamatëvonesave nëse paguhet detyrimi i plotë.

Borxhi tatimor i papaguar, barra që shtohet

Deri më 31 Dhjetor 2024, sipas të dhënave të publikuara nga DPT, gjendja e detyrimeve tatimore të papaguara në afat kap vlerën e 162,5 miliardë lekëve, apo rreth 1,6 miliardë euro, nga 155,2 miliardë lekë (rreth 1,5 miliardë euro) që ishte gjendja e tij deri më 1 janar 2024.

Sipas raportit, krahasuar me fillimin e vitit, kjo përfaqëson një rritje neto prej 7,3 miliardë lekësh, ose 4,7%. Megjithatë, rritja është më e ngadaltë se në vitin paraardhës, ku ishte rreth 12% më e lartë.

Gjatë vitit 2024 janë pakësuar rreth 32 miliardë lekë detyrime, përmes arkëtimeve dhe sistemimeve, por kjo nuk ka mjaftuar për të frenuar zgjerimin e stokut.

Struktura e detyrimeve tregon gjithashtu natyrën problematike të tyre, ku 62% përfaqëson principalin e detyrimit tatimor, ndërsa 33% janë penalitete dhe 5% kamatëvonesa, që në total përbëjnë 39% të shumës, shpesh të mbartura ndër vite nga mosshlyerje të zgjatura.

Ndërkohë, 12,5 miliardë lekë, ose rreth 8% e totalit, janë aktualisht në procese gjyqësore dhe praktikisht të pambledhshme në afat të shkurtër.

Detyrimet e papaguara mbi 5 vjet arrijnë 1 miliard euro

Deri më 31 dhjetor 2024, sipas të dhënave të bëra publike në raportin vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), gjendja e detyrimeve të papaguara në afat kapi vlerën e 1,6 miliardë eurove.

Peshën më të madhe të detyrimeve të papaguara e mbajnë ato me afat mbi 5-vjeçar. Borxhi mbi 5 vjet ka arritur në 104,7 miliardë lekë apo rreth 1 miliard euro, duke përfaqësuar 64% të të gjithë stokut. Ndërsa detyrimet e papaguara ndërmjet 2 dhe 5 vjetëve arrijnë në 32,8 miliardë lekë, apo rreth 335 milionë euro, ose rreth 20% të stokut të përgjithshëm.

Në ulje janë detyrimet që kanë kaluar më shumë se një vit krahasuar me 2023. Borxhi me një afat nga 1 deri në 2 vjet është rreth 10,4 miliardë lekë, nga 12,6 miliardë lekë që ishte në 2023. Borxhet nga 1 deri në 2 vjet zënë 6% ndaj totalit të stokut.

Rreth 4,2 miliardë lekë, apo rreth 43 milionë euro, ose 3% e totalit, janë detyrime të papaguara me afat deri në 3 muaj.

Ndërsa borxhi me një afat nga 3 deri në 6 muaj kap vlerën e 2,8 miliardë lekëve apo rreth 28,5 milionë euro (2% e stokut total), dhe ai nga 6 deri në 12 muaj është rreth 7,3 miliardë lekë, apo rreth 74 milionë euro (4,5%).

64% e debitorëve, biznese pasive me 1,2 mld euro detyrime; Kompanitë që do të përfitojnë nga falja

Analiza sipas statusit të tatimpaguesve tregon se pjesa dërrmuese e borxhit është përqendruar te subjektet pasive.

Tatimpaguesit aktivë përbëjnë vetëm 40% të numrit total të debitorëve, por mbajnë 26% të borxhit total (41,6 miliardë lekë). Ndërkohë, tatimpaguesit pasivë përbëjnë 64% të debitorëve dhe mbajnë 74% të shumës së borxhit, përkatësisht 121 miliardë lekë apo rreth 1,2 miliardë euro.

Të dhënat tregojnë se një pjesë e madhe e stokut të detyrimeve lidhet me subjekte të mbyllura apo jo aktive, të cilat kanë një potencial të ulët rikuperimi dhe e bëjnë borxhin realisht të pambledhshëm.

Në raport theksohet se për të përmirësuar performancën në këtë drejtim, gjatë vitit 2024, administrata tatimore ka ndërmarrë një sërë masash që synojnë përforcimin e funksionit të mbledhjes së detyrimeve të prapambetura.

Janë intensifikuar përpjekjet për përmirësimin e kuadrit ligjor, lehtësimin e komunikimit me tatimpaguesit, si dhe për ndjekjen e menjëhershme të detyrimeve të reja, me qëllim që ato të mos kalojnë në stok të vjetër.

Një rol kyç në këtë drejtim ka luajtur Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve të Papaguara në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, e cila ka monitoruar ecurinë e stokut dhe ka kryer analiza në nivel subjekti për rastet më problematike.

Raporti i detyrimeve të mbledhura ndaj atyre të shtuara për vitin 2024 është realizuar në nivelin 81,3%, një rritje me 2% krahasuar me vitin 2023, duke reflektuar përparësinë që po i jepet mbledhjes së borxhit të ri për të shmangur rritjen e mëtejshme të stokut historik.

Për ekspertët, në shumë raste nga falja e detyrimeve do të përfitojnë individë që kanë tentuar të nisin një aktivitet ekonomik, por aktualisht janë të bllokuar për shkak të regjistrimit si debitorë, ndonëse kompanitë nuk ekzistojnë më praktikisht.

Arben Shkodra thotë se nga nisma mund të përfitojnë një sërë kategorish sipërmarrësish, që nga ata që kanë ndërruar jetë, por ende rezultojnë me detyrime; të tjerë që kanë aftësi të kufizuara dhe nuk përfitojnë ndihmë shtetërore, sepse figurojnë të regjistruar me NIPT.

“Ka shumë raste kur sipërmarrësit nuk jetojnë me apo janë me shtetësi të huaj dhe nuk e dinë procedurën për mbylljen e aktivitetit, ndërkohë sot ata rezultojnë si biznese pasive, por me një ‘peng’ në Shqipëri.

Mund të ketë individë që kanë tentuar të bëjnë biznes individual, por sot janë me aftësi të kufizuara dhe për shkak se rezultojnë me detyrime nuk mund të përfitojnë ndihmë shtetërore.

Po ashtu, janë mbi 3 mijë apo 4 mijë fermerë që kanë qenë pjesë e një skeme grantesh, e cila më pas u kthye në kredi të butë dhe përveç kësaj akumuluan detyrime dhe sot janë krejtësisht të bllokuar.

Një tjetër kategori që duhet të përfitojë nga paqja fiskale janë bizneset të cilat kanë çështje ligjore me shtetin për detyrime të padrejta tatimore.

Çështjet kanë shkuar në gjykata, ndërkohë këto biznese operojnë në treg, por për shkak të këtij detyrimi janë të markuara si biznese me risk.

Nga ana tjetër, në vendin tonë, procesi i shqyrtimit të çështjeve civile nuk është i shpejtë. Në gjykata, shqyrtimi i çështjeve zvarritet me vite, ndërkohë që duhej të përfundonte brenda 4–5 muajsh”.

Ai e sheh nismën si një hap pragmatik për të vendosur një marrëdhënie më të shëndetshme mes shtetit dhe biznesit.

“Morali nuk mund të jetë gjithmonë udhëheqës në një realitet të çrregullt. Prandaj, një qasje pragmatike është e nevojshme për të hapur një kapitull të ri në ekonominë shqiptare.”

A do të përfitojnë të gjitha palët, edhe biznesi, edhe sistemi

Përveç biznesit, sipas ekspertit të ekonomisë Arben Shkodra, përfitimet janë të prekshme edhe për shtetin. Zoti Shkodra thotë se pastrimi i regjistrave nga subjekte të vdekura apo me histori problematike shmang jo vetëm ngarkesën burokratike, por edhe rreziqet për abuzime të natyrave të ndryshme, si evazioni fiskal apo pastrimi i parave.

“Shteti mund të ketë interes të pastrojë regjistrat publikë (të QKB-së apo DPPT-së) nga këto ‘hije të së shkuarës’, të cilat përveçse nuk sjellin të ardhura, përbëjnë edhe risk për abuzime si evazion fiskal apo pastrim parash.

Nëse nisma hartohet dhe zbatohet me kujdes, nëpërmjet konsultimit të gjerë dhe pa u kthyer në një mjet elektoral, përfitimet do të jenë të mëdha si për shtetin, ashtu edhe për biznesin”, pohon ai.

Për audituesin ligjor, Julian Saraçi, faljet e propozuara edhe në të kaluarën kanë ndikuar negativisht tek etika tatimore.

“Kjo ka çuar në një gërryerje të moralit tatimor, duke krijuar një sjellje të pritshme ku korrektësia fiskale shihet si një barrë që në një moment të dytë do të kompensohet me një amnisti.​

Për më tepër, këto masa kanë dëmtuar etikën tatimore dhe kanë gërryer moralin e paguesve të rregullt. Sot, në vend që korrektësia të jetë normë, vonesa dhe shmangia perceptohen si strategji të zgjuara, që herët a vonë do shpërblehen me ndonjë falje”, pohon ai.

Një propozim teknik apo thjesht elektoral

Megjithëse nisma është shpallur në prag të zgjedhjeve parlamentare, dy nga ekspertët bien dakord që ajo nuk duhet parë si një mjet elektoral, por si një ndërhyrje e vonuar me efekte të mundshme reale në terren.

Arben Shkodra thekson se “fakti që ende nuk ka nisur një konsultim zyrtar, tregon se nisma është më shumë një politikë e planifikuar sesa një premtim i rastësishëm elektoral”.

Ndërkohë, z. Bendo thekson se nisma duhet të shoqërohet nga një fazë përgatitore serioze, për të shmangur përsëritjen e praktikave të amnistive të shpeshta që dëmtojnë besimin dhe nxisin sjellje evazive.

Audituesi ligjor Julian Saraçi vëren se Shqipëria ka zbatuar 6 masa faljeje ose amnistie fiskale që nga viti 2009, duke përfshirë ndërhyrje të tilla në vitet 2009, 2011, 2014, 2015, 2019, si dhe propozime të përsëritura në 2021, 2023 dhe tani në 2025.

Sipas tij, të gjitha këto masa janë ndërmarrë në periudha zgjedhore, duke ngritur dyshime për përdorimin e tyre si mjete politike për përfitime afatshkurtra.

“Për shembull, në vitin 2009, ndërsa vendi përgatitej për zgjedhjet parlamentare, u propozua legalizimi i kapitalit të padeklaruar. Në vitin 2011, përpara zgjedhjeve vendore, u falën gjoba dhe kamatëvonesa për tatimpaguesit që paguanin principalin.

Kjo praktikë është përsëritur në mënyrë të vazhdueshme, duke e kthyer faljen fiskale në një normë, jo në një përjashtim”, pohon ai./ Monitor

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan