AKTUALITET

“Pse s’ke shënuar zonat ku ka flori toka shqiptare?”/ Si vdiq nga torturat Stanislav Zuber! Dëshmia e Petro Markos: “Ngordhi qeni?"

Piranjat Përditësimi i fundit 22 Tetor 2025, 15:06

“Pse s’ke shënuar zonat ku ka flori toka shqiptare?”/ Si

Pak ditë më parë, pikërisht më 17 tetor, i ngarkuari me punë i Republikës së Polonisë, Wojciech Unolt, vendosi një kurorë me lule në pllakën përkujtimore të profesor Stanislaw Zuber, në prani të një komuniteti të përndjekurish, Çelo Hoxhës, drejtor i Institutit për Krimet e Komunizmit; deputetit Bujar Leskaj dhe shumë miqve të Polonisë. Ceremonia u zhvillua në nder të kujtimit të këtij profesori të shquar polak, zbulimet dhe studimet e të cilit në fushën e gjeologjisë në vitet 1930 dhe 1940 hodhën themelet për zhvillimin e shkencave gjeologjike dhe industrisë minerare shqiptare. Ceremonia e vendosjes së kurorës u zhvillua në pllakën përkujtimore të vendosur në murin e Qendrës së Paraburgimit Nr. 302, “Rruga Mina Peza”, në Tiranë.

NGA WOJCIECH UNOLT

Stanislav Zuber ishte një shkencëtar i shquar polak, i cili meriton gjithashtu të konsiderohet qytetar i Shqipërisë për shumë vitet që kaloi në shërbim të këtij vendi dhe për meritat e tij të jashtëzakonshme në zbulimin dhe hartëzimin e burimeve natyrore të Shqipërisë. Ai ishte gjeolog dhe zbulues i naftës, gazit dhe depozitave të shumta minerale në Shqipëri. Ai ishte autor i afërsisht 500 botimeve dhe hartave gjeologjike dhe tektonike, që përdoren ende sot. Ai bashkëprojektoi zhvillimin e qytetit shqiptar të Kuçovës. Ai punoi në Shqipëri që nga vitet 1920 dhe banoi përgjithmonë në Shqipëri që nga viti 1935. Por sot ne përkujtojmë prof. Zuber jo vetëm për shkak të arritjeve të tij shkencore, por konkretisht në rastin e trishtueshëm të 78-vjetorit të vdekjes së tij tragjike në duart e regjimit komunist shqiptar. Në fakt, profesor Zuber, pavarësisht përkushtimit të tij ndaj këtij vendi dhe popullit të tij, menjëherë pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri u arrestua nën akuza të rreme dhe u mbyll në këtë burg. Këtu ai u torturua mizorisht për disa javë dhe këtu vdiq më 18 tetor 1947. Data 19 tetor është përvjetori i saktë i asaj ngjarjeje tragjike. Ne i dimë rrethanat e sakta të vdekjes së tij falë dëshmisë së jashtëzakonshme të bashkëburgosurit të tij, shkrimtarit të famshëm shqiptar Petro Marko. Dosja që dokumenton burgosjen dhe marrjen në pyetje të tij ruhet në arkivat shqiptare. Por deri më sot nuk e dimë se ku është varrosur trupi i tij. Në këtë përvjetor të vdekjes së prof. Stanislav Zuber, dua të theksoj dy gjëra:

Së pari, duke vendosur lule në këtë vend, ne synojmë të nderojmë jo vetëm kujtimin e vetë Prof. Zuber, por edhe të të gjithë shqiptarëve që si ai vuajtën burgosjen, torturën dhe vdekjen në duart e regjimit komunist. Në fakt, pranë pllakës që përkujton prof. Zuber, ka një tjetër që nderon të gjitha viktimat e regjimit. Prania jonë këtu sot dhe lulet që sollëm këtu janë një shenjë e solidaritetit tonë me të gjithë ata që vuajtën si prof. Zuber në Shqipërinë komuniste. Së dyti, ne nuk e kujtojmë jetën dhe vdekjen e Prof. Zuber dhe viktimave të tjera të diktaturës komuniste thjesht si fakte historike, si diçka që është e paharrueshme, por që i përket të kaluarës.

Sot Shqipëria është në rrugën e saj për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe BE nuk është thjesht një treg i përbashkët apo një hapësirë lëvizjeje e lirë. Bashkimi Europian është një bashkësi vlerash dhe më themeloret nga këto vlera janë jeta dhe dinjiteti i personit njerëzor. Ne duam t’i mbështesim dhe promovojmë këto vlera sot dhe për ta bërë këtë duhet të kemi guximin të kujtojmë dhe të përballemi sinqerisht me të kaluarën kur këto vlera u shkelën kaq brutalisht. Duhet të kemi një vetëdije të qartë për atë që ndodhi atëherë. Duhet të jemi në gjendje ta tregojmë atë histori në një mënyrë që nuk e turbullon dallimin midis të mirës dhe të keqes, midis autorëve dhe viktimave. Është një kërkesë themelore e drejtësisë dhe themeli i domosdoshëm i një shoqërie vërtet demokratike. Ky është gjithashtu kuptimi që dëshirojmë t’i japim përkujtimit të sotëm të Stanislaw Zuber. Profesor Stanislaw Zuber mund të konsiderohet me të drejtë një simbol i solidaritetit dhe miqësisë shqiptaro-polake. Le ta kujtojmë dhe nderojmë atë për arritjet e tij të shumta shkencore dhe për vlerat për të cilat jetoi dhe vdiq.

Fjala e të ngarkuarit me punë i Ambasadës Polake mbajtur në ditën e përkujtimit të shkencëtarit të njohur në pllakatin që kujton vuajtjen e tij

Në të njëjtën qeli me Stanislav Zuber

NGA PETRO MARKO

“Atëherë mu kujtua profesor Zuberi, Andrea Xega, edhe ai gjeolog dhe Nako Spiru më treguan se cili ishte profesor Zuberi: – Një nga gjeologët më të mëdhenj të botës. Më parë e mori Lenini për të zbuluar puset e naftës të Bakusë, ku i kishin ngritur dhe një bust, pastaj për aftësitë e jashtëzakonshme, e angazhoi shoqëria anglo-persiane për të studiuar pellgun e Lindjes së Mesme (Gjirin Persik, Arabinë Saudite, Irakun, Iranin). Ai punoi shumë vite dhe qe i pari që bëri hartën gjeologjike të asaj zone. Sot, në gjithë botën gjeologët i kanë si udhërrëfyese zbulimet dhe traktatet e tij gjeologjike për atë zone, që doli më e pasura në botë për naftë. Punoi shumë vite dhe pasi i kreu të gjitha punët, shoqëria anglo-persiane e dërgoi në Shqipëri.

Ai erdhi këtu dhe punoi, bëri hartën e pare gjeologjike të Shqipërisë. shoqëria në fillim nisi punët në Kuçovë, ku doli nafta e parë, por pasi ajo naftë përmbante shumë squfur, shoqëria anglo-persiane e la dhe ia shiti Italisë së Musolinit, që vuante për karburante. Filluan nga puna italianët: Zuberi zbuloi edhe Patosin. Italianët kishin shtrirë një tubacion nga Kuçova e gjer në Ujë të Ftohtë të Vlorës, ku vinin cisternat e ‘Axhipit’, shoqëri italiane e naftës dhe e shpinin për ta përpunuar në Itali. Zuberi krijoi dhe Muzeun Gjeologjik në Kuçovë. Gjatë Luftës së Dytë, nga bombardimet e aviacionit anglo-amerikan u godit dhe Kuçova dhe u vranë shumë njerëz, midis të cilëve dhe e shoqja e Zuberit. Pas çlirimit, Zuberi u thirr si këshilltar i gjeologjisë pranë Këshillit të Ministrave. Dhe më 1947 e njoha edhe unë. Ai më mbante mend, se e dinte që isha përgjegjës i gazetës “Bashkimi” dhe kishte tentuar të më shkruante që ta shpëtoja e ta liroja, se e akuzonin për një sabotim në Kuçovë.

Dhe tani ja ku ishim të dy: ai i katandisur një grusht njeri, unë një skelet i gjallë i ngarkuar me hekura. Me Zuberin shkëmbenim ndonjë fjalë: – ai, i shtrirë përdhe, – unë, i varur. Ai murmuriste gjithë ditën dhe pasi e pyesja se ç’murmuriste, thoshte: – Tani jam duke bërë një leksion për shkaqet pse disa zona janë të pasura me naftë, si ato të Lindjes së Mesme. Tani jam duke u lutur, ai ishte katolik dhe lutej. E ngacmova dhe i thashë: Si ka mundësi që një intelektual si ju të besojë? – Unë u besoj ideve që jetojnë dhe do të jetojnë për mijëra vite. Ti i beson marksizëm-leninizmit, por a do të jetojë qindra ose mijëra vite kjo ideologji? Feja ka një funksion shumë human dhe universal, ajo ka shumë vlerë për njeriun, se e bën më njerëzor, e bën më guximtar ndaj së ligës dhe i zbut plagët e shpirtit. Ja tani, kur unë i falem Krishtit, i them: – edhe unë do të duroj dhe do të qëndroj si ti. Se ti na dhe shembullin për të buzëqeshur edhe para vdekjes. Pse njerëzimi beson? Se ka nevojë për burim shprese, për këtë burim humanizmi, për këtë ilaç qetësues, sidomos në rastet si ky yni, në të cilin ndodhemi tani”.

Hynë në birucë dy hetues, njëri e ngriti Zuberin dhe e nxori jashtë birucës, tjetri ndenji me mua dhe më tha: – “Pa pyete këtë armik a ka flori toka shqiptare. Ai ka bërë hartën gjeologjike, por nuk ka shënuar gjëkundi se ku ka flori”.

Unë qesha me vete dhe i thashë hetuesit kallp: – “Po të kishte flori, për kë e ka fshehur? Po të ishte për italianët, do ta kishte shënuar. Për kë e ka fshehur? – Këta agjentë janë djallëzorë. Po ti pyete, po ta japim si ‘detyrë patriotike’ se nuk ka mundësi që të mos ketë flori gjithë kjo tokë”. Kur u kthye përsëri në birucë Zuberi, u shtri dhe qeshte. Pse qesh, i thashë? – “Më shtrëngojnë të them pse nuk kam shënuar zonat ku ka flori toka shqiptare. Dhe unë u thashë se nuk ka. Ata më shkelmuan dhe më shanë ‘agjent i shitur’. – Me të vërtetë, a ka flori Shqipëria? – Po të kishte, unë patjetër që do ta kisha shënuar, si të gjithë mineralet e rralla. Në të vërtetë, ka në disa zona, por duhet njëzet herë më shumë flori për ta nxjerrë atë sasi. Këta janë injorantë. Unë, kur kam bërë hartën gjeologjike, e kam bërë si gjeolog dhe jo si agjent ose spiun. Ç’janë këto që po dëgjojmë”?!

Përnatë merreshin e pushkatoheshin intelektualë të shquar, specialistë. – “A e di? – më tha një ditë Zuberi. – Këtu, ja Enveri, ja Koçi janë agjentë të huaj, besoj të Jugosllavisë. Se nuk lanë intelektual të gjallë, me qëllim që ata të sjellin të tyret”. U hap dera. Hyri një polic trupmadh dhe i bërtiti Zuberit. – Ç`punë bën ti? – Gjeolog që zbulon pasuritë e nëntokës, iu përgjigj i frikësuar Zuberi. Roja i këputi një shkelm me sa fuqi pati, prapa veshit duke i thënë, – Tani shko e zbulo pasuritë e nëntokës! – Kisha mbyllur sytë dhe çudi se si nuk më pushoi zemra. Me frikë, hapa sytë dhe pashë Zuberin të shtrirë, me duar e me këmbë të hapura dhe me një curril gjaku që i buronte nga goja. Bëra të lëvizja, t’i vija në ndihmë, por isha i varur në dritare. M’u errën sytë. M’u err mendja. Desha të bërtisja, që të më dëgjonte gjithë bota: – Krim! Krim universal! Stanisllav Zuberin e vranë! Vranë kulturën, vranë shkencën, vranë jetën”. U hap përsëri dera. Hyri ai polici që e goditi, bashkë me dy të tjerë. E panë. – Ngordhi qeni! – tha ai që e goditi. E kapën nga këmbët, e hoqën zvarrë, e nxorën jashtë dhe mbyllën derën, duke më lënë mua në birucë fantazmën gjakatare të kohës që vuloste turpin e këtij shekulli”!

* Shkrimi është botuar nga autori me titullin “Krim kundër kulturës universale” në gazetën “Republika” më 4 prill 1991. Më vonë ajo u botua edhe në librin e tij “Retë dhe gurët”./panorama

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan