BOTA

Analiza e REL: Njohjet që s’i erdhën kurrë, kush ia mbylli dyert Kosovës?

n.f Përditësimi i fundit 16 Shkurt 2025, 14:18

Analiza e REL: Njohjet që s’i erdhën kurrë, kush ia mbylli

KOSOVË- Shtatëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është në harresë diplomatike - e njohur nga shumë shtete, por jashtë disa organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare. Me dinamikat e shpejta gjeopolitike, vëzhguesit thonë se Kosova rrezikon të humbasë edhe mbështetjen e disa vendeve me ndikim.

Në vitin kur Kosova shpalli pavarësinë, më 2008, kryeministri i atëhershëm i vendit, Hashim Thaçi, premtoi njohje nga 193 shtete, që i binte të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, plus një.

“Unë konfirmoj përsëri se shteti i Kosovës do të njihet jo nga 100, por nga 193 shtete. Po të krahasohen njohjet e Kosovës me republikat e tjera të dala nga ish-Jugosllavia, te ne ka ndodhur mrekullia”, tha Thaçi.

Ai i bëri këto komente në një seancë të Kuvendit të Kosovës në mes të korrikut 2008, pesë muaj pas shpalljes së pavarësisë. Me gjithë kundërshtimet e Serbisë, vendi, atëkohë, njihej nga 43 shtete të botës, përfshirë SHBA-në dhe fuqitë kryesore evropiane.

Dy vjet më vonë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë - në përgjigje të kërkesës së Serbisë për opinion - shpalli vlefshmërinë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës, duke thënë se ajo nuk binte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Për autoritetet në Kosovë atëkohë, kjo ishte edhe një shtysë që demokracia më e re në botë të njihej ndërkombëtarisht.

“... sepse, më në fund, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë - një institucion i vlerësuar i drejtësisë - konfirmoi se populli i Kosovës bëri gjënë e duhur, duke shpallur pavarësinë e tij më 17 Shkurt 2008”, tha ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni, pas vendimit të GJND-së.

Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, në listën që ka të publikuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë në ueb-faqen e saj, figurojnë 117 vende që e njohin Kosovën - ende larg shifrës së premtuar prej 193.

Shteti i fundit që e njohu ishte Izraeli në vitin 2021. Kjo njohje ishte pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë. Para saj, shteti i fundit që e njohu, ishte Barbadosi në vitin 2018. Por, intensiteti i njohjeve filloi të binte që nga viti 2015.

Në këtë dhjetëvjeçar, Kosovën e njohën vetëm 9 shtete. Vendi vazhdon të mos njihet nga dy shtete të Ballkanit Perëndimor - Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, si dhe pesë shtete të Bashkimit Evropian - Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë qysh më 10 shkurt, për ta pyetur rreth aktiviteteve të saj lobuese, por nuk mori asnjë përgjigje. E cituar nga mediat në Prishtinë, tetorin e kaluar, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, tha se “njohjet nuk varen vetëm nga Kosova, por edhe nga shumë konsalacione të tjera”.

Aidan Hehir, nga Universiteti Westminster në Londër, numëron disa arsye për stagnimin e njohjeve: nën një, shtetet properëndimore tashmë janë shterur dhe shumica prej tyre e kanë njohur Kosovën, dhe nën dy, vendet që janë të rreshtuara me Rusinë dhe Kinën, ose dashamirëse ndaj Serbisë, nuk mund të binden lehtë. Hehir thotë se edhe lobimi i Kosovës ka qenë i centralizuar.

“Fatkeqësisht, qeveritë e Kosovës që nga viti 2008 kanë qenë shumë, shumë të fiksuara me Shtetet e Bashkuara dhe nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për kultivimin e marrëdhënieve me vende jashtë sferës së ndikimit të SHBA-së. Këtu mendoj sidomos në botën arabe, në Lindjen e Mesme, ku janë disa shtete me shumicë myslimane që nuk e njohin ende Kosovën”, thotë Hehir për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Hehir pranon se ndikim ka pasur edhe fushata e çnjohjeve e Serbisë. Autoritetet në këtë vend thonë se kanë arritur t’i bindin disa vende për të tërhequr njohjet e Kosovës, në mesin e tyre: Surinami, Burundi, Liberia, Ishujt Solomon, Madagaskari, Gana e të tjera, ndonëse autoritetet në Kosovë nuk konfirmojnë ndonjë çnjohje. Për ekspertin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Hehir, stagnimi i viteve të fundit reflekton, gjithashtu, botën në të cilën jetojmë.

“Fuqia po zhvendoset nga Perëndimi drejt Rusisë dhe Kinës. Këto vende kanë tani më shumë ndikim. Ato u ofrojnë vendeve të vogla ndihmë ushtarake ose financiare, duke i kushtëzuar - ta zëmë - me pesë gjëra, një prej të cilave është anulimi i njohjes së Kosovës”.

“Në vitet 2008/9/10, Shtetet e Bashkuara u kanë thënë të kundërtën shteteve të vogla: ne do t’ju japim para, nëse ju i bëni këto pesë gjëra, përfshirë njohjen e Kosovës. Pra, Kosova goditet fort nga erërat e ndryshimit”, thotë Hehir.

Gëzim Krasniqi nga Universiteti i Edinburgut përmend edhe një fakt tjetër shqetësues për Kosovën. Ai thotë se janë disa shtete brenda BE-së që e kanë njohur vendin relativisht herët, por që sot kanë qëndrim skeptik për pavarësinë e tij.

“Në radhë të parë mendoj për Hungarinë, një shtet që ka pozicion proserb në raport me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Është shtet që e ka njohur Kosovën, por nuk është shtet që e përkrah avancimin e Kosovës në sferën ndërkombëtare, për shkak të raporteve të afërta që i ka zhvilluar me shtetin serb”, thotë Krasniqi për Exposenë.

Krasniqi thekson se përtej aspektit numerik të njohjeve, Kosova duhet të kujdeset të ruajë mbështetjen e shteteve me peshë të madhe ndërkombëtare. Këtu, ai përmend rastin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, vitin e kaluar, kur i ka pasur numrat, por jo edhe mbështetjen për t’u bërë pjesë e kësaj organizate.

“Fatkeqësisht, viteve të fundit, kemi parë një ftohje të raporteve të Kosovës me disa prej aleatëve kryesorë të saj. Të gjithë i kemi dëgjuar deklaratat e zyrtarëve qoftë në SHBA, në Gjermani apo në vende të tjera, që thonë se e kanë të pamundur të angazhohen aktivisht për rritjen e numrit të njohjeve apo anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, për shkak se janë të pakënaqur me hapat që i ka bërë Qeveria e Kosovës në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit [për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë]”, thotë Krasniqi.

Ai thekson se si njohjet, ashtu edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare kalojnë ekskluzivisht përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Ky është edhe një kusht që BE-ja i ka vendosur formalisht si Prishtinës, ashtu edhe Beogradit nëse duan të përparojnë në rrugën e integrimit evropian.

REL-i kontaktoi ministritë e Jashtme në të pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, për t’i pyetur nëse janë duke shqyrtuar ndryshimin e pozicionit ndaj Kosovës. Përgjigje mori vetëm prej Ministrisë së Jashtme sllovake, e cila tha se ky vend nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket “pavarësisë së njëanshme” të Kosovës.

Krasniqi, ligjërues i Nacionalizmit dhe Sociologjisë Politike, thotë se kushdo që ta formojë Qeverinë e re të Kosovës nuk do të ketë shumë mundësi manovrimi, jashtë normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Ai vëren se në Prishtinë, aktualisht, nuk ka disponim të madh për të bërë koncesione në emër të normalizimit, por, pavarësisht kësaj, thotë se nuk duhet qëndruar në vendnumërim.

“Është me rëndësi që Qeveria e Kosovës t’i intensifikojë raportet me shtetet njohëse ose mossnjohëse, me të cilat ka interesa të përbashkëta, por edhe shkëmbime ekonomike, dhe ta forcojë diplomacinë ekonomike dhe kulturore. Në rrethanat aktuale, besoj se ka shumë hapësirë për thellim të bashkëpunimit pa njohje faktike, edhe pse njohja faktike do të ishte shumë e dëshirueshme për Kosovën”, thotë Krasniqi.

Edhe Hehir, nga Universiteti Westminster, thotë se Qeveria e re e Kosovës - kushdo që e formon atë - do të duhet të aktivizohet më shumë, fillimisht duke e prezantuar Kosovën si zgjidhje për konfliktet në Ballkan. Edhe ambasadat e Kosovës në vendet perëndimore, sipas tij, duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se konkurrojnë me ambasadat e Serbisë dhe të jenë më proaktive.

“Nëse Kosova vazhdon të mos njihet dhe nëse disa e çnjohin atë, një gjë e tillë do t’i trimërojë nacionalistët serbë, do t’i inkurajojë ata që të vazhdojnë të përpiqen t’i rishikojnë kufijtë e ish-Jugosllavisë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje”.

“Ju mund të shihni se në dhjetë vjetët e fundit, retorika nga Qeveria e Serbisë dhe retorika nga Qeveria e Republikës Sërpska brenda Bosnjës, është bërë shumë më agresive, shumë më luftarake”, thotë Hehir.

Kosova, qysh në vitin 2011, është e angazhuar në një dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por pak prej marrëveshjeve të arritura janë zbatuar. Kosova thotë se procesi duhet të përfundojë me njohje reciproke, por Serbia - e cila gëzon mbështetjen e Rusisë në arenën ndërkombëtare - kundërshton.

Në 17 vjet të pavarësisë, Kosova ka arritur të bëhet pjesë e disa organizatave ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, por ka dështuar në UNESCO, Interpol e Këshill të Evropës. Në një intervistë dhënë javën e kaluar televizionit shqiptar Top Channel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar se në katër vjetët e fundit nuk ka pasur njohje të reja, por ka thënë se ai as që i ka premtuar ato.

E, kur Thaçi i ka premtuar 17 vjet më parë, ai ndoshta nuk ka pritur që peizazhi gjeopolitik të ndryshonte në mënyrë dramatike - si brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës. Sot, Kosova është nën masa ndëshkuese të BE-së dhe në grindje me aleatët, për shkak të tensioneve në veri. Bota, ndërkaq, nuk di ku të godasë më parë - nga luftërat në Ukrainë e Lindje të Mesme e deri te rritja shqetësuese e Kinës./ REL

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan