
Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde, ka hedhur poshtë zërat për një hyrje të mundshme në garën presidenciale të Francës, duke sqaruar se nuk ka plane për të kandiduar për postin e kreut të shtetit.
Në një intervistë për Euronews, Lagarde deklaroi se nuk është kandidate për asnjë post politik, por nënvizoi se do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e vlerave evropiane dhe rolin e Francës brenda Bashkimit Evropian.
“Unë nuk jam kandidate për asgjë, por jam thellësisht e interesuar në mbrojtjen e Evropës dhe ruajtjen e kuadrit ku veprojnë shtetet anëtare, përfshirë Francën”, tha ajo.
E pyetur nëse këtë qëndrim do ta shprehë përmes një fushate politike apo duke vijuar punën në krye të BQE-së, Lagarde u përgjigj se do ta bëjë “në çfarëdo kapaciteti që do të ishte më efektiv”.
Deklaratat e saj vijnë pas spekulimeve të ditëve të fundit, të nxitura nga komentet e mëparshme ku ajo kishte lënë të hapur mundësinë e një largimi të parakohshëm nga drejtimi i BQE-së për t’u përfshirë në debatin publik mbi të ardhmen politike të Francës.
Megjithatë, Lagarde tashmë ka sqaruar se prioriteti i saj mbetet puna në institucionin financiar evropian dhe mbështetja e projektit të përbashkët evropian.