KOSOVA

Nga thatësira te përmbytjet/ REL: Si po ndryshon klima dhe çfarë do të thotë për bujqësinë e Kosovës

Piranjat Përditësimi i fundit 23 Gusht 2026, 12:41
Nga thatësira te përmbytjet/ REL: Si po ndryshon klima dhe

Temperaturat mesatare në Kosovë janë rritur gjatë dekadës së fundit, ndërsa fermerët po përballen me periudha më të gjata të thatësisë, valë të të nxehtit dhe reshje të shkurtra, por intensive.

Ndryshimet në temperaturë dhe në shpërndarjen e reshjeve po e bëjnë prodhimin bujqësor gjithnjë e më të paparashikueshëm. Ekspertët thonë se fermerët dhe institucionet duhet të përshtaten me këto ndryshime, nga përzgjedhja e kulturave dhe varieteteve deri te mënyra dhe koha e mbjelljes.

Për fermerët, ndryshimi i klimës nuk është vetëm çështje statistikash. Pasojat shihen drejtpërdrejt në ara dhe në të ardhurat e tyre.

“Puna e tre muajve u zhduk për gjysmë ore”

Ilvi Jupa, 64-vjeçar, bujk nga Komuna e Rahovecit, kishte mbjellë rreth gjysmë hektari me pjepër, në fshatin Bërnjak.

Stuhia dhe erërat e forta që nisën në këtë rajon më 21 korrik, si dhe reshjet e dendura të mëngjesit të 27 korrikut, ia përmbytën parcelën dhe ia shkatërruan të gjithë prodhimin.

“Tre muaj, i kemi shikuar për çdo ditë, se a po rriten [pjeprat], a po zhvillohen... Kur u bënë gati, për një gjysmë ore uji e fshiu krejt”, tregon Jupa për Radion Evropa e Lirë.

“Ky produkt ka shkuar dëm, është prishur. Janë kalbur nga poshtë, të gjithë. Tash, asgjë... vera është e humbur”, thotë ai.

Jupa tregon se vetëm në parcelën me pjepër kishte investuar rreth 4.000 euro dhe synonte të fitonte rreth 7.000 euro.

Për të zbutur humbjet, ai po përpiqet të shesë në mënyrë ambulante shalqirin që kishte mbjellë në një parcelë tjetër, e cila nuk u prek nga përmbytjet.

Por, edhe ky prodhim u dëmtua pjesërisht nga temperaturat e larta gjatë korrikut.

Sipas Jupës, thatësia e shkaktuar nga temperaturat e larta, por edhe reshjet që vijnë me intensitet të madh, janë bërë më të shpeshta gjatë katër-pesë vjetëve të fundit. Ai thotë se në tre vjetët e fundit prodhimet bujqësore i janë dëmtuar vazhdimisht.

“Klima po ndikon. Tash është më thatësirë. Por, kur bie shi, bie me më shumë hov, dhe i përfshin uji më shumë. Më parë, kurrë nuk e ka përfshirë uji kështu”, thekson Jupa, i cili gjatë gjithë jetës është marrë me kultivimin e produkteve bujqësore.

Autoritetet lokale të Komunës së Rahovecit thonë se dëmet e evidentuara nga kushtet klimatike gjatë vitit 2026 kanë qenë të mëdha. Behar Thaqi, drejtues i Drejtorisë për Bujqësi në këtë komunë, thotë se që nga fillimi i janarit, reshjet e shumta kanë përmbysur arat e fermerëve dhe kanë dëmtuar të mbjellat.

“Sipas vlerësimit të komisionit komunal, kanë qenë rreth 167 mijë euro, vetëm te fermerët”, pohon Thaqi për Radion Evropa e Lirë. Erërat e forta të 21 korrikut dëmtuan dhjetëra hektarë vreshta.

“Ka pasur vreshta të kultivuara tash e 40 vjet. Janë rrëzuar”, thotë Thaqi, duke treguar se dëmet u shtuan edhe më 27 korrik, pas reshjeve të dendura dhe me intensitet të madh.

Sipas tij, ndikimi i ndryshimeve klimatike po bëhet gjithnjë e më i dukshëm dhe, nëse fermerët nuk marrin ndihmë dhe udhëzime nga shteti, mund të ndryshojë edhe struktura e kulturave që kultivohen në këtë komunë. “Atëherë do të ndryshojë harta e kulturave bujqësore në Rahovec”, thotë ai.

Ndryshimi i temperaturave, reshjeve dhe periudhave të vegjetacionit mund të ndikojë në përshtatshmërinë e kulturave në zona të caktuara të Kosovës.

Temperaturat shumë të ulëta në pranverë, temperaturat e larta dhe thatësira gjatë verës, si dhe reshjet e dendura, në vitet e fundit kanë shkaktuar dëme në zona të ndryshme të Kosovës.

Matjet nga viti 2016 deri më 2025 në gjashtë stacione meteorologjike – Ferizaj, Mitrovicë e Jugut, Prishtinë, Junik, Prizren dhe Pejë – tregojnë një rritje mesatare të temperaturës prej 0.55 gradë Celsius.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), temperatura mesatare vjetore në Kosovë ishte 11.87 gradë Celsius në vitin 2016, ndërsa në vitin 2025 ishte 12.42 gradë.

Brenda kësaj dekade, viti më i ftohtë ishte 2016, ndërsa më i ngrohti ishte 2024, me temperaturë mesatare prej 13.18 gradësh.

Besim Aliu, zyrtar për meteorologji në IHMK, thotë për Radion Evropa e Lirë se matjet në gjashtë stacionet meteorologjike tregojnë rritje të ndryshme në rajone të ndryshme të Kosovës.

Sipas tij, gjatë kësaj dekade temperatura mesatare është rritur për 1.06 gradë në Ferizaj, 0.90 gradë në Mitrovicën e Jugut dhe 0.89 gradë në Prishtinë. Në Junik, Prizren dhe Pejë janë shënuar “rritje më të vogla dhe jo statistikisht të sigurta, për shkak se variojnë vit për vit”.

“Në përgjithësi, mesatarja ka lëvizur diku midis gjysmë grade dhe një gradë brenda kësaj dekade. Kjo është në linjë me atë që vërehet edhe në rajonin e Ballkanit, dhe në Evropën Juglindore në përgjithësi”, thekson Aliu.

Sipas tij, vitet shumë të ngrohta janë bërë më të shpeshta – 2023, 2024 dhe 2025 – ndërsa është rritur edhe numri i ditëve me temperatura mbi 35 gradë dhe i netëve tropikale.

Si shembull, ai merr matjet në Klinë dhe Han të Elezit.

“Temperatura maksimale e regjistruar ka shkuar nga 37.6 gradë në vitin 2015, në 40.5 gradë, përkatësisht 42.4 gradë në vitin 2025. Kjo është një shenjë e qartë e rritjes së ditëve e valëve të vapës ekstreme”, thekson Aliu.

Sipas tij, sezoni i ditëve të nxehta tashmë fillon më herët dhe zgjat më shumë sesa një dekadë më parë.

Megjithatë, Aliu thekson se një dekadë është periudhë e shkurtër për të përcaktuar klimën në kuptimin shkencor, pasi Organizata Botërore e Meteorologjisë përdor norma 30-vjeçare.

Por, sipas tij, sinjalet e rritjes së temperaturave janë të qarta. Nëse trendi vazhdon me të njëjtin ritëm, “brenda 20–30 vjetëve të ardhshëm Kosova mund të përjetojë rritje mesatare të temperaturës prej 1.5 deri në 2 gradë, krahasuar me periudhën 2015–2018”.

Për reshjet, megjithatë, të dhënat e dekadës së fundit nuk japin një trend afatgjatë statistikisht të sigurt, pasi ato ndryshojnë ndjeshëm nga viti në vit.

Viti 2025 shënoi kushte dukshëm më të thata, veçanërisht gjatë verës.

Megjithatë, sipas Aliut, “vërehet një shpërndarje gjithnjë e më e pabarabartë e reshjeve, me periudha të gjata pa reshje të ndërprera nga episode të shkurtra me intensitet të lartë”.

Në Rahovec, Thaqi vlerëson se ndikimi i rritjes së temperaturave në bujqësi është i pashmangshëm.

Një nga pasojat mund të jetë ndryshimi i periudhave të vegjetacionit.

“Fillimi më i hershëm i pranverës mund të zgjasë sezonin e mbjelljes, por rrit edhe rrezikun e ngricave të vona, kur bimët lulëzojnë më herët, por ngrica ende mund të vijë”, thotë ai.

Gjatë verës, sipas tij, mund të shfaqet “stresi termik”, me valë vape që janë të rrezikshme për kulturat e ndjeshme, si misri, perimet dhe pemët frutore, veçanërisht gjatë fazave kritike të lulëzimit dhe mbushjes së kokrrës.

Në prill të këtij viti, në Prishtinë, u mblodhën agjencitë dhe ekspertët e Kombeve të Bashkuara, bashkë me përfaqësues të organizatave joqeveritare vendëse dhe ndërkombëtare, për të analizuar rreziqet aktuale dhe të parashikuara klimatike që ndikojnë në bujqësi.

Në një raport të publikuar nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO) në maj, thuhet se ndikimet klimatike në Kosovë shihen përmes rënies së rendimenteve të të korrave, rritjes së stresit mbi bagëtinë dhe dëmtimit të të korrave dhe infrastrukturës nga ngjarjet më të shpeshta dhe intensive klimatike.

Imer Rusinovci, profesor i bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se ndryshimet klimatike dhe moti i paparashikueshëm po prekin si kulturat e mbjella në vjeshtë, ashtu edhe ato të mbjella në pranverë.

“Gjithmonë i kemi në rrezik kulturat bujqësore, që mbillen në vjeshtë, nga reshjet intensive dhe vërshimet e papritura. Edhe kulturat pranverore po ashtu sulmohen, posaçërisht nga thatësia e madhe”, tregon Rusinovci për Radion Evropa e Lirë.

Kulturat që mbillen në vjeshtë përfshijnë grurin, elbin, thekrën, tërshërën dhe përzierjet foragjere, ndërsa në pranverë mbillen misri, patatja, fasulja, luledielli, soja dhe shumica e perimeve, si specat, domatet e trangujt, si dhe shalqiri, pjepri e kungulli.

Sipas Rusinovcit, fermerët duhet t’i përshtatin kulturat dhe varietetet me kushtet klimatike dhe lartësinë mbidetare.

Në lartësitë mbi 700 metra mbi nivelin e detit, temperaturat janë më të ulëta dhe vegjetacioni i të mbjellave mund të vonohet për rreth një muaj, ndërsa në rajonet më të ulëta rritet rreziku nga thatësira.

“Duhet të rekomandohen hibridet që janë më të hershme, dhe që kanë periudhë vegjetative më të shkurtër [në lartësitë mbidetare mbi 700 metra]. Ndërkaq, në rrethanat e thatësisë [në rajonet më të ulëta], duhet rekomanduar hibridet që janë më të rezistueshme”, thotë ai.

Lartësia mesatare mbidetare e Kosovës, sipas të dhënave që përdor Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, është rreth 800 metra. Pika më e ulët është rreth 300 metra, ndërsa më e larta 2.656 metra.

Ndryshimet në temperaturë dhe mot mund të ndikojnë edhe në kalendarin e mbjelljeve dhe korrjeve.

“Për shembull, afati optimal agroteknik i mbjelljes së grurit në Kosovë është tetori. Nëse ka paralajmërim se ka çrregullime moti, thatësi... mbjellja mund të bëhet deri më 10 nëntor. Por, te mbjelljet e vonuara, për shkak të ndryshimeve klimatike, duhet shtuar 5 deri 10 për qind repromaterial [fare dhe pleh] më shumë se zakonshëm”, sqaron ai.

Rusinovci thotë se fermerëve duhet t’u ofrohet një strukturë më e llojllojshme e kulturave bujqësore.

“Ato që janë më rezistente ndaj luhatjes së temperaturave duhet t’i avancojmë, ndërkaq ato që nuk janë t’i eliminojmë”, thekson ai.

Përshtatja po bëhet e domosdoshme

AgroDev, organizatë që merret me zhvillimin e bujqësisë në Kosovë, vlerëson se diversifikimi i kulturave është i domosdoshëm dhe se ky proces tashmë ka nisur. Drejtori i përgjithshëm i saj, Fatmir Selimi, thotë se në Kosovë vazhdojnë të kultivohen kulturat tradicionale, si gruri, misri, mollët, kumbullat, speci, domatja dhe të tjera. Sipas tij, varietetet e reja të tyre kanë rritur rendimentin.

Por, ndryshimet klimatike kanë bërë që të provohen edhe kultura që disa dekada më parë nuk janë kultivuar në Kosovë.

“Për shkak të ndryshimeve klimatike, dikush mund t’i nxjerrë dy të korrura. Kemi provuar tash kultura të reja, si mjedra, boronica, shafrani, varietete të ndryshme të sallatave, si dhe ushqime të tjera, që fermerët po i kultivojnë edhe me serra. Aty po arrijnë rendimente të kënaqshme”, tregon Selimi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, fermerët nuk duhet vetëm të shqetësohen për ndryshimet klimatike, por të përgatiten për to.

“Duhet të përgatitemi dhe të ballafaqohemi me këto ndryshime klimatike. Së pari, duhet të dimë vet të ballafaqohemi, e pastaj t’i drejtohemi shtetit për ndihma. Roli ynë, si ekspertë, është që t’u tregojmë fermerëve se cilat janë praktikat më të mira për t’iu përshtatur kushteve klimatike”, thotë Selimi.

Ai kujton raste kur fermerët kanë hezituar të mbjellin kultura të reja.

“Për shembull, nga 80 kultura bujqësore që kanë potencial të zhvillohen në Kosovë, në Rahovec ne planifikonim kultivimin e kivit. Ka shumë potencial që të bëhet në pjesën jugore të Kosovës - në Rahovec, Suharekë e Prizren. Por, nuk kemi gjetur njerëz që ta bëjnë kultivimin e tij”, thotë Selimi.

Sipas tij, institucionet përgjegjëse dhe organizatat që promovojnë bujqësinë e qëndrueshme duhet t’u ofrojnë fermerëve pilot-projekte, përmes të cilave ata mund të shohin në praktikë nëse kultura të caktuara mund të jenë të leverdishme.

“Kur të shohin se kanë sukses, atëherë i nxit fermerët që t’i kultivojnë ato kultura, dhe t’u përshtaten kushteve klimatike”, thotë Selimi.

Megjithatë, për t’u përballur me ndryshimet e mundshme në strukturën e kulturave bujqësore, sipas tij, nevojitet një “strategji e mirëfilltë” nga institucionet qeveritare.

Selimi i sheh si të pamjaftueshme dhe joadekuate dokumentet aktuale të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përfshirë Strategjinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022–2028, në të cilën është përfshirë edhe përshtatja e bujqësisë ndaj ndryshimeve klimatike.

Ministria nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për objektivat konkrete që synohen në dhjetëvjeçarin e ardhshëm në raport me ndryshimet klimatike, për buxhetin aktual të dedikuar për përshtatjen ndaj tyre, si dhe për ndryshimin e mundshëm të hartës dhe strukturës së kulturave bujqësore në vend.

Kjo lë të hapur një nga pyetjet kryesore për bujqësinë e Kosovës: ndërsa fermerët tashmë po përballen me ndryshime në temperaturë, thatësira dhe episode të reshjeve intensive, sa të përgatitura janë institucionet për t’i ndihmuar ata të përshtaten?

Për bujkun Jupa, përgjigjja është ende e pasigurt.

Javë pasi reshjet e rrëmbyeshme ia shkatërruan prodhimin, ai thotë se nuk do të mbjellë më pjepër.

“Tjetër gjë këtu nuk bëhet. Nuk guxoj më të mbjell këtu, sepse uji po m’i prish. Asgjë, vetëm ta lë si lëndinë”, thotë ai.

“Me çka të jetoj? Zoti e bëftë zgjidhjen”, shprehet Jupa./REL

 

Artikuj te sugjeruar

video

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës