POLITIKE

Brando Benifei në “Public Square” me Ditmir Bushatin: Europa nuk ka të ardhme nëse nuk ndryshon shpejt

Piranjat Përditësimi i fundit 25 Prill 2026, 20:35

Brando Benifei në “Public Square” me Ditmir Bushatin: Europa

Në episodin e radhës të Public Square, i ftuar ishte Brando Benifei, deputet i Parlamentit Europian dhe kryetar i delegacionit për marrëdhëniet me SHBA, në një bisedë me Dirmir Bushatin mbi sfidat strategjike të Europës në një rend ndërkombëtar gjithnjë e më të paqëndrueshëm.

Gjatë intervistës, Benifei theksoi se marrëdhënia transatlantike po kalon një periudhë tensioni, ku dialogu mes Parlamentit Europian dhe Kongresit amerikan mbetet thelbësor për ruajtjen e bashkëpunimit, veçanërisht për çështje si mbështetja ndaj Ukrainës dhe menaxhimi i mosmarrëveshjeve tregtare.

Në analizën e tij për sigurinë europiane, ai u shpreh qartë se Europa ende nuk është gati të vetëmbrohet pa SHBA-në, duke nënvizuar nevojën për forcimin e industrisë ushtarake europiane, rritjen e autonomisë strategjike dhe zhvillimin e kapaciteteve të pavarura teknologjike e mbrojtëse.

Një pjesë qendrore e diskutimit iu kushtua luftës në Ukrainë, ku Benifei kritikoi mungesën e iniciativës politike të Bashkimit Europian për të propozuar një plan realist paqeje, duke argumentuar se Europa ka mbetur më shumë në pozicion reagimi sesa udhëheqjeje diplomatike.

Sa i përket sovranitetit digjital, ai theksoi se Bashkimi Europian duhet të investojë në produkte teknologjike të ndërtuara në Europë, në inteligjencë artificiale, cloud dhe infrastrukturë kritike, për të shmangur varësinë strategjike nga SHBA apo Kina. Në këtë kuadër, ai kujtoi edhe rolin e tij si relator i legjislacionit europian për inteligjencën artificiale.

Në fund, Benifei dha një mesazh të fortë politik për të ardhmen e projektit europian: “Europa nuk ka të ardhme nëse nuk ndryshon brenda një periudhe relativisht të shkurtër”, duke mbështetur nevojën për një Bashkim Europian më federal, me më shumë investime të përbashkëta, mbrojtje të përbashkët dhe politikë të jashtme më të integruar.

Ditmir Bushati: Mirë se vini në Public Square! Unë jam Ditmir Bushati. I ftuari i ditës së sotme është Brando Benifei, i cili është deputet në Parlamentin Europian dhe kryetar i delegacionit për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Brando, mirë se vini në Public Square.

Brando Benifei: Faleminderit shumë!

Ditmir Bushati: Do të doja ta nisja bisedën tonë duke ju drejtuar një pyetje shumë të drejtpërdrejtë. Çfarë do të thotë të jesh kryetar i delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me SHBA-të në rrethanat e tanishme?

Brando Benifei: Roli ynë është mjaft interesant, sepse në Parlamentin Europian, ne jemi anëtarët e delegacionit që duhet të punojnë për përparimin e dialogut midis institucioneve europiane dhe institucioneve të Shteteve të Bashkuara në një periudhë të vështirë, në një moment tensioni. Faktikisht, më duhet të them se për disa tematika, si çështja e Ukrainës, për shembull, kur patëm shumë tensione dhe diskutime, dialogu midis eurodeputetëve dhe anëtarëve të Kongresit ishte jashtëzakonisht i dobishëm për të ruajtur angazhimin e Kongresit ndaj mbështetjes për Ukrainën. Dhe në përgjithësi, dialogu me Kongresin ka qenë jashtëzakonisht i përshtatshëm për disa probleme në lidhje me marrëdhëniet tona. Mendoni, për shembull, për marrëdhëniet tregtare ku kemi pasur diskutime dhe tensione të shumta. Faktikisht, ky është një proces në vijim. Të punosh me Kongresin është diçka jashtëzakonisht e rëndësishme. Në fakt, pas disa javësh nga dita e këtij regjistrimi, unë do të jem në Kongres me disa deputetë të Parlamentit Europian për të diskutuar së bashku edhe me përfaqësues të tregtisë, me Gjykatën e Lartë, sepse edhe pse iniciativa jonë parësore dhe thelbësore është dialogu parlamentar, delegacioni ynë zhvillon bisedime dhe vendos marrëdhënie me institucionet qeveritare, me think tank, me shoqërinë civile, etj. Pra, ne përpiqemi të krijojmë një urë për hendekun që sot duket pak më i madh.

Ditmir Bushati: Ju nënvizuat mosmarrëveshjet që ekzistojnë, për aq kohë sa lufta në Ukrainë vazhdon, midis Europës dhe SHBA-ve. Do të doja t’ju pyesja edhe për ndikimin e qëndrimit të SHBA-së ndaj Groenlandës, apo tani me luftën në Iran, pak muaj më parë edhe me ndërhyrjet në rastin e Gazës, por edhe në Amerikën Latine, në rastin e Venezuelës. Nëse do të zgjeronim paksa fushëveprimin e gjeopolitikës dhe masat e njëanshme të marra nga administrata aktuale amerikane, cili është ndikimi për aleancën transatlantike, dhe si e shihni ju këtë marrëdhënie midis SHBA-ve dhe Europës në rrethanat e tanishme?

Brando Benifei: Është e qartë se kjo është një temë komplekse. Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, fillimisht duhet të jemi të sinqertë për situatën në Europë. Sot, Bashkimi Europian është i ndarë. Bashkimi Europian e ka të vështirë të ketë një qëndrim, sepse shpesh ai e ka të vështirë të jetë në të njëjtën anë. Mendoni se çfarë po ndodh këto ditë midis kryeministrit Sanchez dhe qëndrimit të kancelarit Merz në lidhje me masat e Trump në Lindjen e Mesme, me Macron-in me një qëndrim të paqartë, do të thoja. Kjo është një situatë me të cilën mund të shikosh të gjithë ndarjen e Europës. Nga ana tjetër, rasti kur Europa u shfaq e bashkuar, ishte si përgjigje ndaj kërcënimeve të ardhura nga Trump për Groenlandën. Administrata amerikane u tërhoq nga qëndrimi fillestar agresiv. Mendoj se ky është një lloj testimi. Kur shohim këto lloj kërcënimesh ndaj Europës, e kemi parë këtë jo vetëm në rastin ekstrem të Groenlandës, por edhe me diskutimet për rregulloret, me diskutimet për tregtinë. Është gjithmonë një testim për unitetin e BE-së. Europa nuk i është përgjigjur gjithmonë e bashkuar këtij testimi. Kjo ndodhi me Groenlandën. Sot me situatën e re, me konfliktin që po vazhdon në Lindjen e Mesme pas sulmit ndaj Iranit, fatkeqësisht, Europa duket të jetë shumë e fragmentuar. Është e vështirë të gjesh një të përbashkët për sa i përket mbështetjes së një mase shumëpalëshe, të një sistemi vendimmarrjesh shumëpalësh. Duket sikur Europa po dështon në këtë moment specifik. Shpresoj që udhëheqësit tanë do të gjejnë shpejt një mënyrë të përbashkët për të vepruar, sepse në mendimin tim kjo është më keq edhe përpara dobësisë përkundrejt vetësigurisë të Trump. Disa njerëz në Europë mund të thonë se ne duhet të jemi më të prerë si europianë. Kjo mund të diskutohet. Por më e keqja nga e gjithë kjo është ndasia. Bashkimi Europian duhet të bashkohet në një qëndrim. Ose të jetë më mbështetës ndaj asaj që po bën Trump, ose të jetë më kritik për mënyrën se si po zhvillohen gjërat. Por mospasja e një pozicioni është më e keqja. Dhe fatkeqësisht, sot e shoh ende këtë situatë pasigurie, e cila nuk mendoj se po e ndihmon Europën që të luajë një rol në këtë moment kur mendoj se mund të ishim një fuqi për balancimin dhe gjetjen e zgjidhjeve për moszgjatjen e një konflikti që duket të jetë i rrezikshëm në aspektin e ekspansionit të mundshëm të masave ushtarake. Po shikojmë zhvillimet në Liban që për mua janë shumë shqetësuese, dhe me mundësi do t’i hapin rrugën konfliktit të mëtejshëm ushtarak në rajon.

Ditmir Bushati: Dhe teksa flasim për pasiguritë që ju i nënvizuat me të drejtë, në kontinentin tonë kemi një luftë që po hyn në vitin e saj të pestë, agresioni rus në Ukrainë. Siç e përmendët, ekzistojnë disa ndryshime midis Europës ose Bashkimit Europian dhe administratës aktuale amerikane. Si e shihni fundin e mundshëm të kësaj lufte? A mundet të vetëmbrohet Europa me më pak Amerikë, apo a mundet një Europë e ndarë të vetëmbrohet me më pak Amerikë?

Brando Benifei: Do të jem shumë i sinqertë me ju për këtë çështje. Sipas mendimit tim, Europa nuk i luajti shumë mirë të gjitha kartat. Ne mundëm të ishim të bashkuar si reagim ndaj agresionit në Ukrainë dhe të vinim në jetë një sërë sanksionesh që faktikisht goditën ekonominë ruse. Propaganda që thotë se nuk pati ndikim nuk u përgjigjet të dhënave që na tregojnë se ekonomia ruse po vuan prej kësaj, dhe kjo është një masë e ashpër presioni, por është e qartë se kjo masë nuk është mjaftueshëm. Në mendimin tim, Europa ka dështuar në përpjekjen për të propozuar një zgjidhje politike që do të ishte e realizueshme, e mundshme që ndoshta do të kundërshtohej nga Putin, por që ndoshta edhe nuk do të pëlqehej 100% prej ukrainasve, por që do të mund të ishte realiste. Në vend të kësaj ne pritëm për Trump që të propozonte planin me 20 pika, që është kritikuar se është përkthyer nga rusishtja dhe të gjitha diskutimet siç i dimë. BE-ja po përpiqet të modifikojë planin e paqes së administratës së Trump. Kjo është absurde. Do të duhej të ishte Europa që propozonte një plan, që mund të ishte kritikuar nga të gjithë, nga Rusia, Ukraina, nga SHBA. Por të paktën, ky plan do të ishte themeli për diskutim. Në vend të kësaj, ne po përdorim si themelin për debat një plan që vjen nga ndërveprimi midis SHBA-ve dhe Kremlinit. Mendoj se kjo nuk është një mënyrë shumë e zgjuar për Europën. Unë kam qenë shumë i qartë për këtë, me të gjithë sinqeritetin e nevojshëm, edhe me përfaqësuesin tonë të politikës së jashtme, Kaja Kallas, sepse unë mendoj se ne duhet t’u themi qeverive tona se ato duhet të kenë më shumë iniciativë, dhe jo vetëm të reagojnë. Mendoj se kjo është ajo që mungon. Është e qartë se në aspektin e sigurisë që ju ngritët, ne nuk jemi gati të vetëmbrohemi pa SHBA-në. Duhet të jemi të sinqertë. Tani kemi debatin për mënyrën se si të jemi më të gatshëm, si të mund të përshpejtojmë një mënyrë të avancimit të industrisë ushtarake europiane në një nivel që nuk është ai që kemi sot për të ndërtuar më shumë autonomi, më shumë siguri në mënyrë që funksionimi i armëve tona të mos varet nga ajo që mendon presidenti i Shteteve të Bashkuara. Kjo është një pikë e re që po shfaqet në debatin për sovranitet. Kush kontrollon mjetet fundore: armët dhe teknologjitë? Ky është një debat më i madh për sovranitetin digjital, sovranitetin në sigurinë kibernetike të BE-së, dhe kjo ngre më gjerësisht çështjen e mbrojtjes. Nuk jam i sigurt se ne mund ta zgjidhim këtë shumë shpejtë, por ne duhet të marrim edhe vendime. Ne duhet të ndjekim rrugën e zhvillimit të kapacitetit tonë në nivel europian. Kjo nuk do të thotë se e braktisim bashkëpunimin transatlantik për mbrojtjen dhe sigurinë. Ne kemi nevojë për këtë. Por ne duhet të punojmë për më shumë zgjedhje. Problemi i Europës sot është se kur përqendrohemi tek çështjet e sovranitetit, duke përfshirë sovranitetin për sigurinë na mungon zgjedhja në shumë raste. Ne duhet të punojmë për disa zgjedhje europiane.

Ditmir Bushati: Kur flisni për mosmarrëveshjet tregtare dhe digjitale, ju i etiketuat ato si nevojën për sovranitet digjital të Europës. Ne e dimë se Europa ka mbetur pas SHBA-së dhe Kinës në aspektin e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë në përgjithësi. Nga ana tjetër, kemi dëgjuar Presidentin e SHBA-së të flasë dhe të marrë masa duke aplikuar tarifa, madje duke thënë se ‘tarifa është fjala më e bukur’. Si do t’i riformësojnë marrëdhëniet në të ardhmen midis SHBA-së dhe Europës këta elementë? Dhe pyetja e dytë që bashkëlidhet me të parën është në lidhje me zgjedhjet. Kur flisni për zgjedhjet europiane, a nënkuptoni një produkt që do të krijohet në Europë, apo do të fillojë të mbështetet në aktorë të tjerë si Kina, ose në aktorë të tjerë?

Brando Benifei: Mendoj se kemi nevojë për produkte të ndërtuara në Europë. Kur themi “të bërë” në Europë nuk është delir vetëmbrojtjeje. Thjesht kemi nevojë që të jemi në gjendje të zgjedhim se kur dëshirojmë që të përgatiten teknologjitë europiane. Kjo do të thotë, një infrastrukturë e caktuar kritike, fusha të caktuara prokurimi. Nuk mendoj se duhet t’i mbipërdorim këto kategori, sepse ky është qartazi një kufizim. Kur kufizon rrugën e asaj që mund të bësh, kjo mund të pengojë inovacionin dhe efikasitetin. Pra, duhet të bëjmë kujdes. Mendoj se ne duhet t’i kemi në konsideratë këto opsione në disa fusha. Dhe për ta bërë këtë të mundshme, duhet të punojmë për më shumë zgjedhje europiane, siç thashë, më shumë rezerva europiane në aspektin e opsioneve teknologjike për Cloud, për platforma, për lidhje, për Inteligjencën Artificiale. Unë isha relatori për ligjin për Inteligjencën Artificiale në BE, kështu që unë punova me legjislacionin digjital. Nëse dëshirojmë që modeli i BE-së të ketë një hapësirë digjitale të rregulluar, duke përfshirë zhvillimin e Inteligjencës Artificiale, duhet të kemi edhe një bazë industriale të fuqishme për të. Kemi nevojë për më shumë investime në aftësitë llogaritëse. Duhet të dëgjojmë zhvilluesit tanë të cilët na thonë qartazi se kanë nevojë për më shumë kapital, më shumë lehtësira për të pasur më shumë investime në krahasim me ditët e sotme. Kështu, ata përfundojnë duke kërkuar fonde në anën tjetër të Atlantikut, në SHBA, në mënyrë të pabalancuar. Nëse ruajmë bashkëpunimin, kjo është një gjë e mirë. Por aktualisht duket sikur po transferojmë gjithçka në anën tjetër të Atlantikut, për shkak të mungesës së mundësisë në kapital. Duhet ta zgjidhim situatën e vështirë se si të përdorim më shumë të dhëna, gjë që është e vështirë për t’u zgjidhur, pa trajtuar në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë mënyrën se si po mbrojmë të dhënat europiane. Por në të njëjtën kohë, ne po bëjmë më shumë të dhëna të cilësisë të aksesueshme për trajnimin mbi sistemet e Inteligjencës Artificiale. Këto janë pikat kritike që duhet të trajtojmë nëse dëshirojmë që Inteligjenca Artificiale të zhvillohet më shumë në Europë. Nuk është se nuk kemi talentin, apo potencialin. Unë vetë kam vizitova së fundmi disa nga superkompjuterat më të rëndësishëm europianë në Itali, në Bolonja, në Barcelonë me Marinostrom Computer. Së shpejti, do të vizitoj fabrikën e IA në Gjermani. Ne po e zhvillojmë atë, por duhet të bëjmë më shumë dhe ta bëjmë së bashku, sepse SHBA-të ka një strategji të mirë me disa masa të fuqishme federale për këtë fushë, duke bashkëpunuar me sektorin privat. BE-ja është ende e fragmentuar për këtë. Unë e njoh situatën mjaft mirë dhe e di se kjo është mënyra që ne të tejkalojmë disa disavantazhe konkurruese që i kemi ende (TE HIQET).

Ditmir Bushati: Kur vjen puna tek mosmarrëveshjet tregtare me SHBA-në dhe mungesa e parashikueshmërisë në këtë marrëdhënie, cilat janë efektet anësore?

Brando Benifei: Çështja e parashikueshmërisë që përmendët ju është saktësisht çështja kryesore, sepse e vërteta është se marrëveshjet me SHBA-në, jo vetëm ajo e BE-së e ashtuquajtur Marrëveshja Turnberry, por edhe marrëveshjet e tjera me pjesë të tjera të botës nga SHBA, ishin marrëveshje shumë të pabalancuara, duke favorizuar SHBA-në në krahasim me situatat fillestare. Por ato konsideroheshin si zgjidhje të mira për të vendosur një formë stabiliteti, sigurie në kontekstin e një paparashikueshmërie ekstreme. Fatkeqësisht, sot nuk është më e njëjta situatë pas vendimit të  Gjykatës së Lartë dhe me masat e njoftuara nga administrata. Fatkeqësisht, po shikojmë shumë paparashikueshmëri që po rritet sërish. E gjithë puna rreth këtyre marrëveshjeve, të paktën në kontekstin europian, duket të jetë në rrezik në këto momente, dhe duket shumë e vështirë të avancojë në mënyrë të shpejtë dhe efikase. Për këtë arsye është edhe më e rëndësishme për BE-në që të avancojë me marrëveshjet tregtare që mund të diversifikojnë zinxhirin e furnizimit. Për shembull, edhe pse Marrëveshja Mercosur është dërguar për kontroll ligjor në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Europian, tashmë ekziston mundësia se do të ndodhë zbatimi i shumëpritur i marrëveshjes. Ky është një opsion juridik për të cilin jam i bindur se do të përdoret nga Komisioni Europian në muajt e ardhshëm. Në këtë mënyrë, Marrëveshja Mercosur do të hyjë në fuqi paraprakisht, në pritje të një vendimi përfundimtar nga institucionet duke përfshirë Parlamentin Europian. Unë mendoj se kjo është rruga e duhur përpara për momentin, sepse ne kemi nevojë për më shumë mundësi në mënyrë që kompanitë tona të kenë akses në tregje të tjerë. Unë kam punuar shumë me marrëveshjen e Indisë që do të avancojë shumë shpejt. Mendoj se në fillim të vitit tjetër, ne mund të jemi në gjendje të vijojmë me vendimin përfundimtar, por çështjet kryesore politike dhe fushat që do të hapen për më shumë shkëmbim me Indinë tashmë janë përcaktuar me marrëveshjen politike midis Presidentes së Komisionit Von Der Leyen dhe Presidentit të Këshillit Costa me Kryeministrin indian Modi. Mendoj se kjo do të jetë shumë e rëndësishme për Europën. Por edhe me Kinën është e qartë se kjo është e vështirë. Kina po e përmbyt BE-në me paketa me kosto të ulët. Ne po përballemi me forma të dumping, me subvencione të paligjshme të tilla si subvencionet për automjetet elektrike. Edhe pse ka probleme me Kinën, do të na duhet të bëjmë më shumë me Kinën për të ribalancuar vështirësitë që kemi më SHBA-në. Për të qenë i qartë, unë nuk mendoj se mund të heqim dorë nga Shtetet e Bashkuara. Duhet të bëjmë më të mirën tonë në mënyrë që marrëdhënia e tregtisë të funksionojë sa më shumë të jetë e mundur. Por unë jam edhe realist se ne do të jemi dëshmitarë të më shumë trazirave që po vijnë, për shkak të kokëfortësisë së administratës së Trump për të tejkaluar kufijtë e Kongresit dhe vijimin e strategjisë së tarifave si politikë për arritjen e objektivave të tjerë të politikave, jo vetëm për vetëm për tarifat, për tregtinë. Për të qenë i sinqertë, unë kam frikë se do të ketë shumë pasiguri dhe probleme në lidhje me çështjet e tarifave me SHBA-në.

Ditmir Bushati: Ju kryesoni delegacionin e Parlamentit Europian me SHBA-në, dhe ju keni eksperiencë edhe me aktorë të tjerë të mëdhenj, apo me fuqi të rëndësishme. Në ditët e sotme, më duket se Europa, dhe më specifikisht BE-ja, është në një betejë ideologjike me SHBA-në; në një luftë me Rusinë dhe është nën praktikat ekonomike dumping që vijnë nga Kina. Nga ana tjetër, Europa është shumë e njohur për prodhimin e raporteve të këndshëm, dhe unë konkretisht kam lexuar raportet e Letta-s dhe Draghi-t, që janë plot me sugjerime për mënyrën se si ta bëjmë Europën përsëri të madhërishme. Nëse do të duhej t’i analizonit ato raporte, nëse do të duhej të bënit një parashikim se ku duhet të jetë Europa në pesë apo dhjetë vite përkundrejt SHBA-së, Kinës, Rusisë, por edhe përkundrejt fuqive me pushtet të mesëm, si India, për shembull, ku e shihni BE-në dhe ku e shihni Europën si projekt?

Brando Benifei: Unë mendoj se Europa nuk ka të ardhme nëse nuk ndryshon brenda një periudhe relativisht të shkurtër. Mendoj se është në një vështirësi të madhe. Mendoj se Draghi pati të drejtë kur iu përgjigj një gazetari i cili i foli për raportin e tij: “Raporti juaj duket se propozon gjëra që mund të ndodhin vetëm kur Europa është në një rrezik real dhe në një situatë ekstreme.” Me shumë qetësi, Draghi tha: “Po. Por BE-ja është në një situatë krize ekstreme.” Unë mendoj se ai ka të drejtë, sepse Europa mund të përjashtohet nga historia për shkak të asaj që po ndodh. Është shumë e ndarë, shumë e vogël për sa u përket shteteve të ndryshme anëtare dhe vendeve që janë pjesë e lagjes, dhe që janë ende në një pritje të gjatë për t’iu bashkuar BE-së. Të gjitha këto gjëra për një kontinent që dëshiron të udhëheqë në aspektin e të drejtave të njeriut, të mbrojtjes, të së drejtës ndërkombëtare, të ruajë një shkallë të caktuar mirëqenieje së bashku me liritë dhe demokracinë. Nëse BE-ja braktis të gjithë këto ambicie, po, ndoshta ajo mund t’i mbijetojë një rënieje të lehtë. Por nëse dëshirojmë të ruajmë të paktën pak nga të gjitha këto ambicie që listova, atëherë BE-ja e ditëve të sotme duhet të ndryshojë ndjeshëm, gjë që do të thotë se sipas mendimit tim disa vendeve të BE-së iu duhet të gjejnë mënyrën për t’u bashkuar më shumë për të ndërtuar një bashkim më federal. Nuk shoh mënyrë tjetër. Dhe Draghi, një bankier i Bankës Qendrore Europiane, dhe një teknokrat, një kryeministër; pra, jo revolucionar i së djathtës apo i të majtës, por një person me të vërtetë i qetë dhe racional po mbron me forcë atë çfarë sapo përmenda. Ne duhet ta shohim BE-në nga struktura konfederale e integruar dhe e çlirët, tek një bashkim më federal, për më shumë investime të përbashkëta, më shumë siguri dhe mbrojtje të përbashkët, politikë të jashtme të përbashkët. Duhet të fillojmë nga diku. Sipas mendimit tim duhet të ketë një marrëveshje midis disa prej vendeve kryesore të BE-së për të ndërtuar kapacitete të përbashkëta që mund të tejkalojnë atë çfarë është BE-ja sot, sepse ndryshe mendoj se do të përfundojmë duke i dhënë miratim strategjisë të sigurisë së SHBA-së që e përshkruan BE-në si një problem për Europën më shumë se sa një projekt për të ardhmen. Mendoj se duhet të përballemi në mënyrë të hapur me diskutimin se si mund të reformojmë thellësisht BE-në dhe ta angazhojmë atë të luajë rolin e saj në botën e ditëve të sotme.

Ditmir Bushati: Brando Benifei, ishte kënaqësi t’ju kishim në Public Square. Shumë faleminderit!

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan