POLITIKE

Rama, Orban, Vuçiç — manuali i njëjtë kundër ‘algoritmit’

Piranjat Përditësimi i fundit 22 Qershor 2026, 12:30

Rama, Orban, Vuçiç — manuali i njëjtë kundër

Në 20 ditë protestë përpara Kryeministrisë, Edi Rama ka dalë disa herë për t’iu përgjigjur protestuesve.
Herë duke folur për nxitje nga jashtë, herë për ndërhyrje agjenturash, herë duke fajësuar Iranin dhe herë për një luftë hibride e konspiracion global anti-Trump, që gjeti në Shqipëri terren për ta shndërruar vendin në një laborator eksperimentesh gjeopolitike.

Ai nuk ka cekur asnjëherë asnjërin nga shqetësimet e protestës që lidhen me faktorë të cilët varen thjesht dhe vetëm nga qeveria — korrupsioni, krimi i organizuar, kapja e shtetit nga një elitë politike dhe biznesi, dhe ngushtimi i hapësirave për të ndërtuar jetën në atdhe.

Përballë këtyre problemeve që kanë nxjerrë në shesh mijëra veta përditë — shumica e të cilëve vërtet nuk i ka parë kurrë flamingot nga afër, por gjetën te flamingot valvulën e shfryrjes së zemërimit të akumuluar — Edi Rama po përpiqet të gjejë gjithmonë arsye anësore për të shpjeguar revoltën.

Sado të përpiqet që të ripërtërijë partinë dhe qeverinë me emra ministrash që ikin e vijnë më shpejt se shqiptarët u mësojnë emrat, katër mandate qeverisëse e kanë konsumuar dhe shkëputur qeverisjen nga realiteti.

Arsyeja kryesore dhe përbashkësuese e të gjithë njerëzve që dalin në shesh është arroganca e pushtetit që jeton në një realitet virtual, pa asnjë kontakt me shqetësimet dhe problemet e njerëzve të thjeshtë.

Te virtualiteti, Edi Rama gjeti së fundmi edhe fajtorin e madh për gjendjen e krijuar: rrjetet sociale dhe algoritmet e tyre.

Sipas tij, këto platforma fryjnë të pavërtetat e zemërimin dhe fshehin të vërtetat, punën e mirë, zërin e arsyes e faktet, duke helmuar mendjen e atyre që gënjehen dhe dalin të protestojnë.

Beteja e Edi Ramës me algoritmin mund të habisë disa, por nëse shohim historinë politike në Ballkan dhe pak më larg, në Europën Qendrore, mund të gjejmë më shumë se një analogji në këtë drejtim.

Një ndër luftëtarët më të mëdhenj të rrjeteve sociale dhe algoritmeve të tyre ishte kryeministri hungarez Viktor Orbán, deri ditën që iku nga pushteti pas 16 vjetësh qeverisjeje të pandërprerë.

Jo pak herë Orbán është gjendur nën presion si brenda dhe jashtë Hungarisë për qeverisjen e tij autokratike.

Por vitin e shkuar, Hungaria u përfshi nga protesta të mëdha pas plasjes së një skandali në lidhje me abuzimet seksuale me fëmijët.

Gjatë protestave, Orbán u përpoq të relativizonte dhe minimizonte peshën e tyre.

Edhe pse i quajti krimet e abuzuesve "të papranueshme", ai i cilësoi kërkesat e protestuesve për dorëheqjen e qeverisë së tij si të tepërta dhe politikisht të motivuara nga kundërshtarët.

Si gjatë protestave të vjetshme, ashtu edhe në ato të mëparshme, kur përballej me thirrjet e qytetarëve dhe opozitës për të dhënë dorëheqjen, Orbán i cilësonte këto kërkesa si teatër politik.

Ai argumentonte se legjitimiteti i tij rridhte nga fitorja me shumicë votash në zgjedhje dhe jo nga "presioni i rrugës".

Protestat ai i quante të organizuara nga forca që punonin kundër interesit të popullit hungarez dhe që zbatonin urdhra nga fuqi të huaja me qëllim destabilizimin e Hungarisë sovraniste.

Skandalet mbylleshin me dorëheqjen e zyrtarëve të tjerë poshtë tij (si rasti i dorëheqjeve të Presidentes Katalin Novák dhe Ministres së Drejtësisë Judit Varga), për të cilat Orbán deklaroi se "përgjegjësitë u morën" dhe se qeveria e tij do të vazhdonte punën.

Kjo zgjati deri përpara dy muajve, kur u detyrua të linte pushtetin përmes zgjedhjeve.

Por në muajt e fundit të qeverisjes, përballë pakënaqësisë në rritje, edhe Orbán gjeti një armik të ri: rrjetet sociale dhe algoritmin.

Gjatë fushatës, pavarësisht se kontrollonte thuajse të gjithë median tradicionale në Hungari, ai foli për konspiracion përmes kodeve kompjuterike të korporatave të mëdha të Silicon Valley.

Ja çfarë thoshte Orbán jo më larg se këtë pranverë në fushatë:

"Të dashur miq, sot liria e shprehjes nuk po kërcënohet më vetëm nga shtetet autoritare, por nga një fuqi e re, e padukshme dhe globale: pronarët e teknologjisë së madhe dhe algoritmet e tyre. Këto algoritme nuk janë neutrale. Ata janë programuar me një anësi të qartë ideologjike progresiste dhe liberale. Ata vendosin në mënyrë sekrete se çfarë lejohet të shihni dhe çfarë duhet të fshihet. Nëse guxoni të thoni të vërtetën mbi familjen tradicionale, mbi kombin, mbi fenë apo mbi rreziqet e emigracionit, algoritmi ju ndëshkon. Ju zvogëlon shikueshmërinë, ju bllokon llogarinë ose ju zhduk fare nga hapësira publike. Kjo është një formë e re e censurës moderne, një totalitarizëm digjital. Këto platforma sillen si gjykatës të së vërtetës pa pasur asnjë mandat nga asnjë popull. Ata duan të riformësojnë mendjen e të rinjve tanë, duke izoluar çdo mendim sovranist apo konservator. Ne nuk mund të lejojmë që sovraniteti i Hungarisë dhe mendimi i qytetarëve tanë të diktohet nga kodet kompjuterike të shkruara në Silicon Valley."

Pavarësisht deklaratave të Orbánit, opozita i fitoi zgjedhjet vetëm përmes fushatës në rrjetet sociale, përballë një qeverie që kishte në kontroll të gjitha institucionet, pushtetin ekonomik dhe atë mediatik.

Orbán njihet për miqësinë me Edi Ramën, por njihet shumë edhe për miqësinë me Aleksandër Vuçiçin, Presidentin e Serbisë, një tjetër lider ballkanik i cilësuar gjerësisht si autokrat. I tillë ishte edhe Nikola Gruevski në Maqedoni, të cilit Orbán i ofroi strehë dhe azil politik.

Por le të kthehemi tek Vuçiç, i cili sikundër Edi Rama sot dhe Viktor Orbáni dje, është përballur me protesta, pakënaqësi të gjerë dhe kritika të forta brenda e jashtë Serbisë për lidhje okulte me krimin e organizuar serb, korrupsionin dhe oligarkinë.

Edhe presidenti serb ka qenë vazhdimisht në syrin e ciklonit brenda vendit për shkak të skandaleve të shumta.

Por sikundër Orbáni, edhe ai ka gjetur armiq të brendshëm dhe të jashtëm, duke fajësuar agjentura dhe shtete të huaja që punojnë kundër interesave të Serbisë për ta rrëzuar nga pushteti.

Ashtu si kolegët e tij, edhe Vuçiçi e ka gjetur shpeshherë armikun te rrjetet sociale dhe algoritmet, të cilat, siç argumentojnë Rama dhe Orbáni, shumëfishojnë gënjeshtrat dhe gjysmë të vërtetat në kurriz të punës, realitetit dhe fakteve.

Gjatë pakënaqësisë që shpërtheu në Serbi në vitin 2023, Vuçiçi foli me një gjuhë që shqiptarët e kanë dëgjuar së fundmi edhe nga qeveritarët e tyre:

"Rrjetet sociale janë bërë një vend ku suksesi nuk falet. Nëse ndërton një urë, nëse hap një fabrikë, atje do të gjesh vetëm njerëz që të fyejnë dhe që thonë se gjithçka është keq. Kjo është bërë një çmenduri kolektive. Njerëzit jetojnë në një botë paralele të krijuar nga ekranet, ku ajo që është e thënë keq merr vlerë, ndërsa puna e ndershme injorohet."

Por jo vetëm kaq. Dy vite më vonë, pas protestave të tjera masive që shpërthyen në Beograd dhe në të gjithë vendin pas shembjes së çatisë në një stacion treni të rindërtuar së fundmi me shpenzimin e miliona eurove para publike—duke shkaktuar edhe viktima në njerëz — Vuçiç nuk u ndal vetëm tek algoritmi.

Asokohe, në Beograd, protestat ishin edhe kundër projektit të Xhared Kushner për të ndërtuar një hotel luksoz në rrënojat e godinës së shtabit qendror të ushtrisë jugosllave, të bombarduar nga NATO gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Sikundër Orbáni dje dhe Rama sot, edhe Vuçiçi foli për luftë hibride në rrjetet sociale që zhvillohej për të dëmtuar ekonominë e Serbisë:

"Nuk janë thjesht njerëz të thjeshtë që shkruajnë në internet. Kjo është një luftë e pastër hibride. Kemi qendra të tëra jashtë vendit, por edhe këtu në rajon, që paguajnë miliona për të shpërndarë lajme të rreme, për të krijuar panik artificial për ekonominë tonë dhe për të nxitur protesta. Ata duan që përmes klikimeve dhe botëve të rrëzojnë qeveri dhe të shkatërrojnë shtete."

Përveç gjuhës dhe armikut të përbashkët që liderët gjejnë gjithmonë për të relativizuar pakënaqësinë, zemërimin dhe protestat, e përbashkëta tjetër e tyre është kohëzgjatja në pushtet, asfiksimi i të gjitha institucioneve dhe eliminimi i çdo kontrolli demokratik dhe dhunimi i parimit të kontrollit dhe balancimit të pushteteve.

Si në Hungari, ashtu edhe në Serbi e Shqipëri, Parlamenti, Presidenti dhe media—tre pushtetet që duhet të kontrollojnë dhe balancojnë qeverinë—nuk funksiononin dhe nuk funksionojnë sepse kontrollohen nga një njeri i vetëm apo nga sistemi që ai ka ndërtuar.

Ndaj dhe çdo gjë që del jashtë këtij sistemi shihet prej tyre si kërcënim dhe konspiracion i thurur prej fuqish të huaja, përplasje agjenturash dhe komplot kodesh kompjuterike.

Ata refuzojnë të pranojnë realitetin për sa kohë janë shkëputur prej tij; ushqehen vetëm me informacion të cunguar nga një rreth i ngushtë njerëzish që i rrethojnë, të cilët, për të mos u prishur humorin, lartësojnë vetëm arritjet.

Në këtë flluskë artificiale është shumë e thjeshtë të gjesh armiq virtualë./ Exit al

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan