SOCIALE

Agron Haxhimali: Pa zgjidhur pronësinë, ‘Paketa e Maleve’ nxit konflikte sociale!

Piranjat Përditësimi i fundit 2 Nëntor 2025, 12:26

Agron Haxhimali: Pa zgjidhur pronësinë, ‘Paketa e Maleve’

Qeveria e ka prezantuar “Paketën e Maleve” si një nismë për të ringjallur jetën ekonomike në zonat e thella malore, përmes nxitjes së investimeve dhe zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm. Por ndërsa ministrat flasin për zonat prioritare për investime, në terren situata duket shumë më e ndërlikuar.

Agron Haxhimali, nga Instituti për Bashkitë e Shqipërisë, shprehet se problemi nuk qëndron te mungesa e vullnetit nga pushteti vendor, por te mungesa e sigurisë ligjore mbi pronësinë.

“Sot problemi nuk është çështje harte, por çështje pronësie,” thotë ai.

Sipas Haxhimalit, qasja e qeverisë në këtë nismë ka qenë tipike “nga lart-poshtë”, duke i vendosur bashkitë përballë një fakti të kryer.

“Do të ishte ideale që nisma të vinte nga vetë bashkitë,” shpjegon ai, “por edhe kështu, ato duhet të ishin më të zëshme në kërkimin e qartësisë ligjore për ta bërë paketën të qëndrueshme dhe pa pasoja sociale”.

Në thelb, Haxhimali thekson se bashkitë janë institucione të pavarura, të garantuara nga Kushtetuta në nenet 108–113, dhe nuk mund të trajtohen si struktura që marrin urdhra politikë.

“Ne jemi një shtet unitar, por bashkitë nuk urdhërohen, ato nuk janë të emëruara,” thekson ai.

“Në një vend demokratik, qeveritë duhet të jenë më shumë dëgjuese sesa urdhëruese. Secili institucion duhet të bëjë punën e tij, me bashkëpunim institucional e ligjor, jo me udhëzime politike”.

Intervista e plotë:

Z. Haxhimali, qeveria ka prezantuar “Paketën e Maleve” si një iniciativë zhvillimore për zonat malore. Ju personalisht keni shprehur rezerva për mënyrën si po zbatohet. Cili është problemi kryesor që shihni në këtë nismë?

P: Pronësia. Nuk është çështje harte, por pronësie. Problemi kryesor në terren nuk lidhet me mungesë vullneti nga bashkitë, por me mungesë sigurie ligjore mbi pronësinë. Në shumë zona malore, statusi juridik i pronave mbetet i paqartë; ndarjet midis pronës publike, private, komunale apo shtetërore janë ende burim konfliktesh.

Çdo përpjekje për të identifikuar “zona prioritare për investime” pa e sqaruar më parë këtë bazë, mund të hapë rrugë për përplasje të reja ligjore dhe tensione me komunitetet lokale. Në këtë kontekst, kërkesa për përshpejtim mund të interpretohet jo si masë nxitëse, por si imponim i një dinamike që bie ndesh me parimet e sigurisë juridike.

A jeni konsultuar ju, si përfaqësues i Institutit për Bashkitë, me qeverinë për përmbajtjen e Paketës?

P: Po, madje kam dërguar mendime, opinione, qëndrime dhe komente, dhe këto i kemi bërë prezente edhe në debate dhe në media.

Apo bashkitë janë vënë përballë një fakti të kryer?

P: Po, madje kam thënë se do të ishte ideale nëse këto iniciativa do të vinin nga vetë bashkitë. Por edhe pse qasja ka qenë nga lart-poshtë, bashkitë, kryetarët dhe grupet e interesit duhet të gjenin rrugët për të kërkuar më shumë qartësi ligjore që kjo paketë të ishte efektive dhe e qëndrueshme, pa nxitur konflikte sociale të niveleve të ndryshme. Por thelbësore janë çështjet e pronësisë, pasi këtu ka elementë që krijojnë probleme potenciale.

Ju keni paralajmëruar se “çdo hartë investimi pa sqaruar pronësinë mund të prodhojë konflikte sociale”.

P: Ky ka qenë dhe po evidentohet si problem edhe sot, disa muaj pas hyrjes në fuqi të paketës, ku vetëm 5 bashki nga 61 kanë bërë progres me hartat e mundësive. Çështja e statusit të pronës në Shqipëri është një problem i vjetër dhe i ri njëkohësisht — i vazhdueshëm dhe pa zgjidhje.

A keni shembuj konkretë nga bashkitë ku kjo situatë është e dukshme?

P: Nuk kam informacion konkret, por nga sa dëgjova në takimin e Kryeministrit me kryebashkiakët, disa prej tyre ngritën problemin e përputhshmërisë së statusit të pronave, që bie ndesh me kërkesat e përfituesve dhe përdoruesve që nuk janë pronarë.

Në shumë zona malore, banorët nuk kanë certifikata pronësie të qarta. Si mund të zbatohet një plan zhvillimi pa u zgjidhur më parë kjo çështje ligjore?

P: Është e patolerueshme kjo paqartësi. Kjo buron nga legjislacioni, moszbatimi i tij, ndryshimet e herëpashershme, institucionet joeficiente dhe kultura jonë shoqërore për zbatueshmërinë ligjore.

Cilat janë mekanizmat ligjorë që ju mendoni se mungojnë sot për të mbrojtur të drejtat e pronarëve lokalë dhe komuniteteve?

P: Çështje shumë komplekse kjo. Janë 35 vite që prona është trajtuar pa juridiksionin themelor të saj, që lidhet me të drejtat dhe përfitimet e pronarëve. Mekanizmi ligjor përfshin drejtësinë mbi pronën, kthimin dhe kompensimin, etj. Por problemi sot është se çfarë ka mbetur nga ajo pronë? Kuadri ligjor dhe rregullator në 35 vite ka ndryshuar shumë, dhe sërish nuk duket ndonjë hapësirë e fortë ligjore në favor të së drejtës mbi pronën, trajtimin dhe përdorimin e saj.

Kryeministri ka kërkuar nga bashkitë që të dorëzojnë “hartat e investimeve” në një afat shumë të shkurtër. A mendoni se ky është një proces i nxituar?

P: “Urdhrat për përshpejtim” dhe rreziku i procedurave ekstraligjore. Në fjalimin e tij, Kryeministri kërkoi që bashkitë të përshpejtojnë hartimin e “hartave të zonave prioritare” dhe të krijojnë “task-forca” për t’u qëndruar afër çdo investitori të mundshëm.

Në pamje të parë kjo mund të duket si mobilizim institucional, por toni “shtytës” i thirrjes (“t’u rrini pronto njerëzve”, “t’i nxisin”, “t’ua lehtësojnë procesin”) krijon përshtypjen e një urdhri politik që mund të çojë bashkitë drejt veprimesh jashtë kornizës ligjore. Ky presion për “të bërë shpejt” rrezikon ta zhvendosë thelbin e nismës nga zhvillimi real drejt një procesi formal e statistikor, ku rëndësi merr numri i kontratave apo zonave të shpallura, e jo cilësia e përgatitjes së tyre.

A ndihen bashkitë të përfshira realisht në vendimmarrje, apo thjesht po zbatojnë një udhëzim nga lart-poshtë?

P: Bashkitë, siç thamë më sipër, duhet të jenë vetë më të përfshira në mbrojtje të interesave të tyre dhe të komunitetit. Duhet të flasin, jo vetëm të dëgjojnë. Ne jemi një shtet unitar dhe institucionet lokale duhet të zbatojnë aktet e qeverisë, parlamentit e ministrive, por ato kanë të drejtën të bëjnë politika lokale dhe të ushtrojnë vendimmarrje në këshillat bashkiake.

Ju keni thënë se qeveria duhet të jetë “më shumë dëgjues sesa urdhërues”.

P: Në një vend demokratik, marrëdhëniet ndërinstitucionale janë të përcaktuara me rregulla ligjore. Bashkitë janë institucione të pavarura, siç i përcakton Kushtetuta në nenet 108–113. Në këtë kontekst, ato nuk “urdhërohen” dhe s’marrin urdhra, pasi nuk janë të emëruara. Në vendet perëndimore, ku ne synojmë të shkojmë, qeveritë kanë mekanizma realë për të dëgjuar problemet që ngrihen nga bashkitë.

Çfarë do të thotë konkretisht kjo në praktikë? Çfarë ndryshimi do të sillte një qasje më dëgjimore?

P: Në praktikë kjo do të thotë që secili institucion të bëjë punën e vet në mënyrë të pavarur. Bashkëpunimi duhet të jetë institucional dhe ligjor për çështjet me interes për qytetarët, jo për interesa partiake.

A kanë bashkitë kapacitet teknik e financiar për të përgatitur harta të sakta zhvillimi, sidomos ato më të voglat në zonat malore?

P: Sot jetojmë në një epokë tjetër, ku bashkitë, edhe nëse nuk kanë burime të veta, janë të lira të kontraktojnë burime të jashtme. Por theksoj: nuk është çështje vizatimi, por përputhshmërie e hartave me ligjin dhe me kadastrën.

Çfarë mbështetjeje do të kërkonit nga qeveria qendrore ose nga donatorët për t’u përfshirë në mënyrë më efektive në këtë proces?

P: Mjafton vullneti i sinqertë dhe jo propaganda.

Si e shihni rrezikun që “Paketa e Maleve” të përqendrojë zhvillimin vetëm në disa zona të caktuara, duke lënë pas komunitetet e tjera malore që janë më të varfra ose më të braktisura?

P: Rreziku qëndron në keqzbatimin dhe abuzimin me ligjin.

Mundësinë e konflikteve sociale për shkak të mungesës së qartësisë ligjore?

P: Rrezik i lartë.

Çfarë forme mund të marrin këto konflikte në terren — përplasje midis banorëve, me investitorët apo me pushtetin lokal?

P: Uroj të mos ndodhin të tilla, por fatkeqësisht në Shqipëri, në 25 vitet e fundit, kemi pasur raste të ngjashme.

Si mund të garantohet që hartat e zhvillimit të mos kthehen në instrument për favorizime klienteliste apo konflikte interesash?

P: Kjo kërkon monitorim nga të gjithë aktorët — që nga çdo qytetar e deri te institucionet më të larta.

A mendoni se procesi i hartimit të këtyre planeve duhet të jetë publik, me dëgjesa me banorët dhe organizatat lokale, përpara se të miratohen nga bashkia apo qeveria?

P: Është detyrim ligjor që këto të bëhen publike. Ashtu siç duhet të jenë edhe dëgjesat — të vërteta. Por edhe qytetarët duhet të jenë vërtet pjesëmarrës aktivë, jo thjesht figurantë.

A është “Paketa e Maleve” një mundësi reale për zhvillimin e zonave malore, apo një rrezik për centralizim dhe tension social nëse zbatohet me ngut?

Në letër, nisma synon nxitjen e investimeve në zonat malore, përmes kushteve të favorshme për turizëm të qëndrueshëm, punësim dhe përmirësim të cilësisë së jetës për komunitetet vendase. Megjithatë, mënyra e qasjes dhe ritmi i kërkuar në zbatim ngre një sërë pikëpyetjesh serioze për ligjshmërinë, efektivitetin dhe qëndrueshmërinë e këtij procesi.

Në fund, cili është mesazhi juaj për Kryeministrin dhe për kryebashkiakët që janë të përfshirë në këtë proces? Çfarë duhet bërë ndryshe, konkretisht?

P: “Paketa e Maleve”, edhe pse mes shumë diskutimeve, ka potencial për ringjalljen e zonave të braktisura dhe promovimin e turizmit malor. Por për ta arritur këtë, duhen rregulla të qarta, jo urdhra të paqartë, ky është mesazhi për Kryeministrin.

Për kryetarët: zbatoni vetëm ligjin dhe logjikën, asnjë urdhër që ju çon në procedura të nxituara apo jashtëligjore. Nëse zbatimi mbetet i bazuar në presion, jo në planifikim, atëherë rrezikojmë që “paketa” të mbetet vetëm në letër, si një tjetër nismë që ngjall shpresa, por shuhet në përplasjen mes politikës, ligjit dhe interesave./piranjat.al

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Piranjat.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Piranjat.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

 

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan