BOTA

Nga sulmi në Banjskë te mbyllja e institucioneve serbe/ Kosova dhe Serbia bëjnë hapa pas, analiza: Po shkelet Marrëveshja e Brukselit!

n.f Përditësimi i fundit 27 Shkurt 2025, 08:08

Nga sulmi në Banjskë te mbyllja e institucioneve serbe/ Kosova dhe

KOSOVË- Në vend të zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve, sulm i armatosur në Banjskë; në vend të pranimit të simboleve kombëtare dhe respektimit të integritetit territorial, Serbia me rezervat e saj; në vend të anëtarësimit të papenguar të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, grup punues për pengimin e saj; në vend të zgjidhjes për pozitën e serbëve në Kosovë dhe financimin nga Serbia, shfuqizim i dinarit dhe mbyllje e institucioneve serbe.

Të gjitha këto janë hapa drejt shkeljes së Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila u pranua dy vjet më parë - më 27 shkurt, 2023 - nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Bruksel.

Dokumenti, i cili në opinion u njoh edhe si “Plani Franko-Gjerman” dhe kishte mbështetjen e SHBA-së, duhej të çonte në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Për të u ra dakord dhjetë vjet pasi dy palët nënshkruan Marrëveshjen e parë të Brukselit. E, për t’u “siguruar” se do të zbatohet, ato u pajtuan edhe për Aneksin e Zbatimit gjatë një takimi në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, 2023.

“Kemi një marrëveshje”, tha me entuziazëm shefi i atëhershëm i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Atëkohë, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se ishte “një marrëveshje e vështirë, por e nevojshme”, e cila “do t’ia hapë dyert rajonit për të hyrë në një epokë të re paqeje”.

Me marrëveshje, Kosova, mes tjerash, u obligua ta formonte Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia të mos e bllokonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Marrëveshja parashikonte, gjithashtu, të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektimin e integritetit territorial dhe paprekshmërinë e kufijve, njohjen e simboleve shtetërore dhe hapjen e përfaqësive diplomatike të Kosovës dhe Serbisë në selitë e qeverive të këtyre vendeve.

Megjithatë, gjatë dy vjetëve të fundit, në terren ndodhi pothuajse e kundërta e zbatimit. Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë së Kosovës, Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Presidencës së Serbisë, si dhe Bashkimit Evropian - që ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë - me pyetjen se kush është përgjegjës që marrëveshja ka mbetur vetëm një “germë e vdekur në letër”, por prej asnjërit institucion nuk mori përgjigje.

Në vend që “të gjitha mosmarrëveshjet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të zgjidhen ekskluzivisht me mjete paqësore dhe të ushtrohet përmbajtje nga kërcënimet dhe përdorimi i forcës”, siç parashihet në nenin 3 të marrëveshjes, në Banjskë të Zveçanit ndodhi një sulm i armatosur nga serbët, të cilët vranë një polic.

Në përleshjen e armatosur që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë. Ngjarja ndodhi më 24 shtator 2023, rreth gjashtë muaj pas arritjes së marrëveshjes. Përgjegjësinë e mori nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, i cili më pas dha dorëheqje nga pozita në këtë parti - më e madhja e serbëve në Kosovë.

Autoritetet e Kosovës ngritën aktakuzë kundër më shumë se 40 personave në rastin Banjska - në mesin e tyre dhe Radoiçiç, i cili besohet se është i lirë në Serbi. Kosova e cilësoi këtë sulm si terrorist dhe e akuzoi Serbinë se qëndron pas tij - gjë të cilën Beogradi e mohoi fuqishëm. Komuniteti ndërkombëtar e dënoi ashpër sulmin dhe kërkoi që pjesëmarrësit të sillen para drejtësisë.

“Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative me shtetin e Serbisë, por jemi duke e hetuar në tërësi”, tha Escobar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në mars të vitit 2024.

Ish-zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit shtoi se SHBA-ja nuk kërkon nga Serbia që ta hetojë këtë sulm, por të marrë përgjegjësi. Në nenet 1 dhe 2 të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve thuhet se palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale dhe të fqinjësisë së mirë, do të njohin dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës dhe do të respektojnë pavarësinë dhe integritetin e tyre territorial.

Por, në dhjetor të vitit 2023, kryeministrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiç, i dërgoi një letër BE-së, në të cilën Serbia shprehu rezerva ndaj marrëveshjes dhe aneksit të zbatimit të saj. Në atë letër, ajo theksoi se marrëveshja konsiderohet “e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk ka të bëjë me njohjen de facto dhe de jure të Kosovës”.

Përfaqësuesi i atëhershëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha në shtator të vitit 2024 se Serbia e ka tërhequr letrën. Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, insistoi në nënshkrimin e marrëveshjes si garanci për zbatimin e saj. Por, Bashkimi Evropian, në disa raste, theksoi se ajo është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët, edhe pse nuk është nënshkruar.

Neni 4 i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve përcakton se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe zyrtarë të tjerë të këtij vendi thanë në disa raste se nuk do të lejojnë kurrë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Më 5 prill të vitit 2024, me urdhër të Vuçiçit, u formua grupi punues për koordinimin e aktiviteteve të organeve shtetërore, lidhur me “problemin e pranimit” të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai kërkoi që argument kryesor kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, të ishte fakti që Prishtina nuk e ka formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e jo që “Kosova nuk është shtet”, sepse kjo, siç tha, nuk do të kishte efekt, meqë shumica e vendeve anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën.

Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi rekomandimin për pranimin e Kosovës në këtë organizatë, por vendet si Franca dhe Gjermania e kushtëzuan pranimin e saj me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Meqë Kosova e refuzoi këtë kërkesë, anëtarësimi i saj në Këshillin e Evropës nuk u fut në agjendën e Komitetit të Ministrave të këtij organi, më 17 maj, 2024.

Neni 7 i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve parasheh që komunitetit serb në Kosovë t’i sigurohet “nivel i duhur i vetëmenaxhimit dhe aftësi për të ofruar shërbime në fusha të caktuara, përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës”.

Në tetor të vitit 2023, të dërguarit nga Pesëshja e Madhe - Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Italia - paraqitën një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzoi ta dërgonte atë draft-statut për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, që ishte hapi i parë drejt themelimit të Asociacionit. Në vend të Asociacionit, mbyllja e institucioneve serbe dhe heqja e dinarit Statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe parasheh zgjidhje për pozitën e komunitetit serb në Kosovë, rregullon mbrojtjen e të drejtave të tij, si dhe financimin nga Serbia.

Edhe pse nuk u formua, Kosova, në dhjetor të vitit 2023, miratoi një rregullore për ndalimin e transaksioneve të pagesave në dinarë, gjë që goditi komunitetin serb, i cili pranon pagesa të ndryshme nga buxheti i Serbisë - nga pagat deri te shtesat për fëmijë.

Nga janari i vitit 2024, ndërkaq, Kosova nisi edhe mbylljen e institucioneve që vepronin në kuadër të sistemit të Serbisë, me arsyetimin se puna e tyre ishte e paligjshme. Këto vendime të Qeverisë së Kosovës u pritën me kritika të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i cilësoi si “të njëanshme dhe të pakoordinuara”. Vendet perëndimore e kritikuan Kosovën që nuk ofroi zgjidhje alternative para se të shfuqizonte dinarin dhe të mbyllte institucionet serbe.

Në dy vjetët e fundit, Bashkimi Evropian përsëriti se Kosova dhe Serbia nuk i kanë respektuar as marrëveshjet e tjera, edhe pse neni 10 i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve përcakton se “të dyja palët konfirmojnë obligimin e tyre për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme në dialog, të cilat mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme”.

Qeveria e Kosovës tha në mes të korrikut të vitit të kaluar se synon të hapë për trafik urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e cila e ndan qytetin në jugun e banuar me shumicë shqiptare dhe në veriun e banuar me shumicë serbe.

Kjo ide u kundërshtua fuqishëm nga BE-ja dhe vendet e Quint-it (SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia), të cilat thanë se ura duhet të hapet ekskluzivisht në përputhje me marrëveshjet përkatëse, të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova dhe Serbia ranë dakord për hapjen e urës mbi Ibër në vitin 2014, por më 2016 u ra dakord për një plan të ri zbatimi, me qëllim tejkalimin e mosmarrëveshjeve rreth interpretimeve të ndryshme që u bëheshin konkluzioneve të mëparshme.

Ura duhej të hapej në vitin 2017, por në praktikë nuk ndodhi kurrë. Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, pjesëtarët e të cilit janë në urë, tha gjithashtu se vendimi për hapjen e urës për trafik, duhet të merret në kuadër të dialogut. Qeveria e Kosovës, në fund, hoqi dorë nga synimi i saj.

Në anën tjetër, Qeveria e Serbisë, më 28 tetor të vitit të kaluar, i propozoi Parlamentit për miratim ligjin që parasheh gjykimin për të gjitha veprat e parapara me Kodin Penal, të cilat janë kryer pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, si dhe ligjin që territorin e Kosovës ta shpallë zonë të mbrojtjes së veçantë sociale.

Bashkimi Evropian e cilësoi këtë iniciativë të Qeverisë së Serbisë si shkelje të marrëveshjeve të Brukselit dhe i bëri thirrje Beogradit zyrtar që ta rishqyrtonte miratimin e paralajmëruar të ligjeve. Ai kujtoi se obligimet e Serbisë dhe Kosovës në lidhje me juridiksionin e autoriteteve gjyqësore, kanë qenë të qarta që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së parë të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve, në vitin 2013. Deri më tash, këto ligje nuk kaluan në procedurë parlamentare në Serbi./ REL

kosova serbia marrveshja e brukselit

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan