
Një çift italian arriti të mbijetojë për gjashtë ditë i humbur në malet Dolomite, në veri të Italisë, duke pirë urinën e tyre dhe duke u ushqyer me manaferra të egra.
Davide Cesaroni, 41 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Chiara Pesaresi, 38 vjeçe, u nisën më 1 korrik për një shëtitje malore, me planin për t'u kthyer në pikën e nisjes. Fillimisht, shenjat orientuese të shtegut ishin të qarta, por më pas ata humbën rrugën në shtegun Marini, i cili kalon në një zonë të dendur pyjore.
Kur arritën pranë një gremine, vendosën të kursenin energjitë, pasi kishin shumë pak ushqim. Natën e parë e kaluan duke fjetur mes pemëve, me shpresën se në mëngjes do të gjenin rrugën e kthimit.
Por ajo që pritej të ishte një natë u kthye në gjashtë ditë izolim në pyll. Për t'u mbrojtur nga i ftohti dhe era, ndërtuan një strehë të improvizuar me degë pemësh. Në ditët e para, për të shmangur etjen, pinë edhe urinën e tyre.
Pas dy ditësh, gjetën një përrua me ujë të pastër dhe filluan të ushqeheshin me manaferra të egra për të mbijetuar.
Ndërkohë, familjarët njoftuan autoritetet pasi mesazhet e çiftit mbetën pa përgjigje. Ekipet e shpëtimit malor dhe zjarrfikësit nisën kërkimet, ndërsa makina e tyre u gjet e parkuar pranë një strehe malore afër Pordenones.
Në ditën e katërt të kërkimeve, çifti dëgjoi një helikopter që fluturonte mbi zonë, por nuk u vu re për shkak të pemëve të dendura.
Të nesërmen, ekipet e shpëtimit zbritën nga helikopteri për të kontrolluar shtegun Marini.
"Ndërtuam një strehë mes dy pishave me kurorë të dendur. Vendosëm degë rreth tyre, duke krijuar një mbrojtje si një iglo kundër lagështirës, erës dhe të ftohtit," treguan ata për mediat italiane.
Në ditën e gjashtë, Davide dëgjoi sërish zhurmën e helikopterit dhe vendosi të vraponte drejt vendit nga vinte zëri.
"Kur më panë, shpëtimtarët më pyetën nëse isha Davide nga Ankona. Në atë moment e kuptuam se ishim më në fund të sigurt," rrëfeu ai./Përktheu Piranjat News