INVESTIGIME

Si dështoi skema 180 milionë euro për bujqësinë: Të vetmit përfitues, oligarkët e turizmit

Piranjat Përditësimi i fundit 27 Mars 2026, 21:04

Si dështoi skema 180 milionë euro për bujqësinë:

Bujqësia ka qenë historikisht sektori më pak i kredituar nga bankat në Shqipëri. Arsyet për mungesën e financimit në këtë fushë janë të shumta, që nga informaliteti i lartë, vështirësitë në sigurimin e biznesit nga shoqëritë e sigurimit dhe deri te paqartësia e titujve të pronësisë dhe pamundësia për të lënë kolateral.

I ngritur si shqetësim nga media dhe shoqatat e biznesit, qeveria e parë e socialistëve ndërmori një nismë në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën e Shqipërisë për të rritur kreditimin në bujqësi dhe agropërpunim. Në këtë linjë, Qeveria dhe BERZH do të vinin në dispozicion të bankave të nivelit të dytë një fond i cili do të garantonte riskun e mospagesës së kredisë në këtë sektor, si formë kolaterali.

Në këtë mënyrë, interesat për huat që bankat do të jepnin ndaj fermerëve do të ishin më të ulëta dhe kreditimi për sektorin do të rritej.

Ndaj, në janar të vitit 2016, parlamenti ratifikoi marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministrisë së Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në lidhje me lehtësimin e mbështetjes së agrobiznesit, llogari bashkëpunimi. Marrëveshja kërkonte angazhimin e 36 milionë eurove nga qeveria shqiptare në drejtim të një llogarie të veçantë që BERZH do të kishte me qëllim mundësimin e mbulimit të riskut për kreditë në sektorin e bujqësisë.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim nga ana e saj do të angazhonte 100 milionë euro.

BERZH më pas do të lidhte marrëveshje me bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, të cilat do të garantonin në rast mospagesash. Për këtë u caktua një fond me vlerë 136 milionë euro. Gjithashtu, një pjesë tjetër e parave do të shkonte për asistencë teknike, kërkime, këshillime dhe strategji për zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe agropërpunimit. Pas 100 milionëshit të parë, nga qeveria u premtua angazhimi i 80 milionë eurove të tjera, të gjitha në ndihmë të fermerëve që të rritnin biznesin dhe ta konsolidonin atë.

Por vitet kaluan dhe se çfarë ndodhi me këtë skemë të pompuar me të madhe për muaj me radhë, askush nuk mësoi asgjë. Kredia që bankat kishin dhënë për bujqësinë deri në fund të vitit 2016 zinte vlerën totale të një stoku prej 72 milionë euro.

Por pas nisjes së këtij programi, e dini si shkoi stoku i kredisë për fermerët?

Në dhjetor të 2017-s, kredia gjithsej për gjithë sektorin rezulton 53,6 milionë euro, disa herë më pak se sa premtimi i dhënë. Ndërsa në fund të vitit 2020, kredia për bujqësinë, pyjet dhe peshkimin ishte gjithsej 58 milionë euro! Nga shifrat duket se skema kishte dështuar me sukses! Jo vetëm që 180 milionë euro të premtuara nuk ishin vënë në dispozicion të fermerëve, por kishte ndodhur e kundërta: kredia, në vend që të rritej, ishte ulur!

Në total, Ministria e Bujqësisë kishte derdhur në llogarinë e BERZH deri në janar të vitit 2021 pak më shumë se 15 milionë euro (15,476,578 euro), edhe pse marrëveshja e ratifikuar në vitin 2016 e detyronte që të kalonte 10 milionë euro pas hyrjes në fuqi të saj, 12 milionë euro deri në janar të vitit 2017 dhe 14 milionë euro në janar 2018. Thënë shkurt, as gjysmën e shumës që detyrohej edhe pse nuk dihej saktë se sa para kishin shkuar për të ndihmuar bujqit përmes kredisë dhe sa për të paguar konsulentët e tyre.

Ajo që fermerët mund të mbajnë mend ishte fjalimi i Ministres së Bujqësisë në vitin 2021, Milva Ekonomi. Fjalimi i ish-ministres është mbajtur më 25 mars të vitit 2021, kur ajo propozoi ndryshimin e marrëveshjes me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me qëllim që kjo linjë kredie të mbulonte edhe riskun për huatë në sektorin e turizmit, si një fushë e prekur nga pandemia e Covid-19.

Në marrëveshjen e re, qeveria shqiptare angazhohej që të financonte sërish total 36 milionë euro, ku 15 ishin dhënë nga Ministria e Bujqësisë, e cila do të shtonte edhe 15 të tjera, ndërsa Ministria e Turizmit do të jepte 6 milionë euro për të mbuluar kreditë në sektorin e turizmit.

Linja e premtuar e kredisë për bujqësinë, bashkë me turizmin, mbetet sërish 180 milionë euro, po aq sa edhe në marrëveshjen e vitit 2016, por me një ndryshim të vogël, sepse këtë herë lejohej që të përfshihej edhe sektori i turizmit, por me një kusht: nuk mund të shkonte më shumë se 30 milionë euro e kësaj linje për turizmin, 150 do të duhej të ishte patjetër për bujqësinë dhe agropërpunimin.

Epo mirë, një 30 milionësh për turizmin nuk ishte ide e keqe, por problemi është se gjithçka mbeti në letër dhe kjo histori u harrua, njësoj si premtimet e fushatave. Por në zgjedhjet elektorale të majit 2025, avazi u rikthye sërish dhe kryeministri Rama do të vinte edhe njëherë në qendër të programit mbështetjen e bujqësisë me kredi të buta.

Sektori, sipas kryeministrit, vazhdonte të mbetej më pak i financuari, edhe pse ai ishte prej 12 vitesh kryeministër.

Kohë në të cilën vetëm 2% e totalit të kredisë për ekonominë shkonte për bujqësinë, ndërkohë që fermerët ishin grupi më i pambështetur. Për të korrigjuar sa më parë këtë problem të madh strukturor të ekonomisë sonë, qeveria do të lançonte një garanci sovrane e cila do të mbulonte riskun në rast mospagese të huasë nga bujqit dhe interesi i kredisë do të ishte i ulët.

Ekzaktësisht të njëjtat premtime të vitit 2016, aq sa na ngjan me një deja vu. Bujqësia është një nga sektorët me peshën më të madhe në prodhimin kombëtar të vendit, peshë që dikur zinte 20% të PBB-së dhe ka rënë në rreth 18%, por sërish është më pak i financuari. Këtu kryeministri ka të drejtë, por ajo që nuk dha si përgjigje ai është se përse linja e parë për mbështetjen e kreditimit të këtij sektori nuk eci, por paratë shkuan të gjitha për sektorin e turizmit, për të financuar ndërtimin e hoteleve me 5 yje, pas propozimit që kishte bërë vetë ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi.

Ndaj vendosëm t’u drejtohemi me një kërkesë për informacion të gjithë institucioneve të përfshira në këtë marrëveshje për të parë se sa kredi është dhënë për të mbështetur bujqësinë.

Në datën 10 prill 2025, i dërguam një kërkesë për informacion ministrisë për të mësuar bankat e autorizuara, numrin e përfituesve, emrat e tyre, shumën e kredisë së dhënë dhe nëse kreditë kanë performuar si duhet.

Kjo për të kuptuar nëse nuk janë paguar, sa prej tyre ka paguar buxheti i shtetit i vënë në dispozicion për këtë qëllim!

Në një përgjigje të cunguar, ministria thotë se BERZH ka lidhur nën-marrëveshje për kreditim ndaj sektorit të agrobiznesit me 6 institucione financiare: Intesa San Paolo, OTP Bank, Raiffeisen, ProCredit dhe NOA me fondin Besa që janë shkëputur nga programi.

Por nuk na dha ecurinë e kredisë, edhe pse sqaroi se pjesa e pagesës së shtetit me vlerë 36 milionë euro është derdhur e plotë në llogarinë e BERZH. Ne i pyesim sërish se si ka shkuar linja e kreditimit, sa biznese kanë përfituar, sa është kredia e dhënë dhe se sa nga këto para kanë shkuar për ndërtim kapacitetesh, fushata informimi, asistencë teknike etj.

Dhe përgjigjja e tyre është kjo: “Aktualisht jemi në pritje të përditësimit zyrtar nga BERZH për të dhënat që i përkasin tremujorit të fundit. Këto të dhëna do të na mundësojnë të kemi një pasqyrë të plotë dhe të saktë mbi zbatimin e marrëveshjes.”

Pra ministria nuk di asgjë, edhe pse në marrëveshje ka një nen të posaçëm për transparencën dhe raportimin e ecurisë së skemës, në të cilin thuhet se “Banka do të sigurojë që Ministritë të jenë të informuara në lidhje me aktivitetin e financuar në mënyrën e duhur” dhe detyrohet që njëherë në vit të paraqesë një progres vjetor dhe të dorëzojë kopje të audituara të pasqyrave financiare. Nisur nga kjo përgjigje pa përgjigje, iu drejtuam Bankës së Shqipërisë si institucioni që asistoi këtë marrëveshje...

Por banka i lau menjëherë duart.

Më pas provojmë me Ministrinë e Financave, e cila është pjesëmarrëse në këtë marrëveshje, por ky institucion nuk denjoi të përgjigjej, siç nuk denjuan as një pjesë e madhe e bankave dhe institucioneve financiare që janë pjesë e marrëveshjes.

Do të duhej që të dërgonim një kërkesë pranë BERZH që më në fund të informoheshim. Sipas përgjigjes që na erdhi, në total që nga nisja e skemës e deri më sot janë dhënë 160 milionë euro kredi për 6400 biznese.

Pas kësaj letre, vjen edhe përgjigjja e Ministrisë së Bujqësisë, e cila konfirmon të njëjtat shifra, por pa dhënë emrat e kompanive përfituese.

Dhe tani pak vëmendje, sepse këtu gjërat na bëhen të qarta. Në vitin 2021, kur marrëveshja u zgjerua për të financuar edhe sektorin e turizmit, apo për ta thjeshtuar, hotelet me 5 yje siç ka thënë edhe vetë kryeministri, kredia për sektorin bujqësor nga kjo linjë ishte 65.2 milionë euro për 6098 biznese. Tashmë afro 100 milionë euro (94.8 milionë euro fiks), gati dyfish e kësaj shume, nuk është ndarë në 6000 sipërmarrje, por në 302 të tilla, të gjitha për sektorin e turizmit!

Sipas një llogarie, përfituesit e fundit të skemës, ata të sektorit të turizmit, kanë marrë mesatarisht rreth 310 mijë euro kredi, ndërsa 6098 të parët, pra fermerët, kanë marrë nga 10 mijë e 600 euro secili.

30 herë më shumë për turizmin, që në fillim ishte si opsion, fundja jo më kot jemi vend turistik.

Tani një tjetër statistikë shumë interesante.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për sektorin e bujqësisë nga viti 2021, kur u ndryshua marrëveshja, deri në fund të vitit 2025 është rritur me vetëm 1.35 milionë euro, ndërsa ajo për akomodim dhe shërbim ushqimor, pra për turizmin, është rritur nga 308 milionë në 502 milionë euro!

Tashmë kryeministri ka nisur një fushatë ku premton kreditimin e bujqësisë përmes një skeme të ngjashme, e cila ka nisur të zbatohet dhe quhet Garancia Sovrane 5. Por deri më sot nga kjo linjë është dhënë financim vetëm 4.8 milionë euro, sa 15% e shumës së premtuar përpara fushatës.

Po kush i përfitoi të gjitha këto para të vëna në dispozicion?

A shkuan në ndihmë të fermerëve në nevojë, të cilët po braktisin tokën dhe po largohen nga vendi, apo për bizneset e mëdha me fuqi dhe njohje?

Besojmë përgjigjen e merrni me mend.

Kredia e nisur për bujqit përfundoi në xhepat e investitorëve strategjikë, madje me nismë të ministres së Bujqësisë, Milva Ekonomi. Me një qasje tërësisht të dyshimtë, që në vend të politikave pro sektorit të saj, i orientonte paratë e bujqve në drejtime të tjera.

Ndaj Piranja Luela Gaxhja shkoi për ta pyetur nga afër se përse zonja Ekonomi ndryshoi marrëveshjen e kredisë për sektorin e bujqësisë duke e zgjeruar edhe për turizmin. Kjo e fundit thotë se nuk e mban mend një marrëveshje 180 milionëshe për sektorin bujqësor nga e cila kanë përfituar vetëm operatorët turistikë.

Sidoqoftë, ajo tashmë e ka bërë dëmin e saj dhe i përket organeve ligjzbatuese të hetojnë shkeljet e bëra me marrëveshjen, e cila nuk lejonte dhënien e më shumë se 30 milionë eurove në sektorin e turizmit. Ndërkohë që Ministria e Bujqësisë preferon ta komentojë me shumë diplomaci këtë dështim të ish-titullares që i shkaktoi aq shumë dëme sektorit që drejtonte.

Dhe meqë këtë përqendrim me rezultat 100% e patën përfaqësuesit e sektorit të turizmit, atëherë zgjidhja ishte fare e lehtë.

Le t’ia japim këto kredi strukturave akomoduese të turistëve. Njëfarë realizimi plani, që ka si protagoniste këtë zonjë, e cila në këtë rast u hoqi kafshatën bujqve, për të favorizuar zengjinët e bregdetit./Piranjat news/

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Piranjat.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Piranjat.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi

 

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan